Një shqiptar që jetonte në Itali, dy spanjollë dhe një person nga Gjibraltari, u arrestuan gjatë një operacioni policor në brigjet e Portugalisë, që përfundoi me sekuestrimin e 2.6 tonëve kokainë me vlerë 500 milionë euro.
Guardia di Finanza, e cila bashkëpunoi në operacion tha se droga u gjet në një gomone që po lëvizte me shpejtësi në Oqeanin Atlantik.
Operacioni u krye në bashkëpunim me autoritetet spanjolle dhe portugeze, ndërsa hetimi u koordinua nga zyra e prokurorit në Brescia, në Italinë veriore.
Autoritetet nga të treja vendet thanë se vlera e kokainës në tregun me shumicë kapte rreth 78 milionë euro.
Nëse do të arrinte në destinacionin e saj dhe do të shitej me pakicë, mund të gjeneronte një vlerë totale prej rreth 500 milionë eurosh, shkruan Abcnews.al.
Europol ka dhënë një paralajmërim këtë vit se rrjetet kriminale po e zhvendosnin gjithnjë e më shumë trafikun e kokainës larg porteve kryesore evropiane dhe drejt rrugëve detare të fragmentuara përgjatë Oqeanit Atlantik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!