Një hetim disa mujor i zhvilluar nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) ka çuar në goditjen e një skeme të dyshuar korruptive për rregullimin e lejeqëndrimeve për shtetas të huaj, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se në pranga kanë përfunduar Gylsen Jahiri rreth 51-vjeç, Fatma Shufta rreth 47-vjeç dhe Dervis Keleci rreth 38-vjeç, ndërsa Elvire Krasniqi Qerka rreth 54-vjeç është proceduar në këtë rast dhe është liruar në procedurë të rregullt.
Sipas burimeve të Sinjalit, operacioni është zhvilluar më 22 korrik, nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, me autorizim të Departamentit për Krime të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ndërsa kontrollet janë kryer në zyrat e Drejtorisë për Shtetësi, Azil dhe Migrim.
Hetimet kanë ngritur dyshime se Gylsen Jahiri, në cilësinë e zyrtares përgjegjëse për pranimin e dokumenteve të shtetasve të huaj për lejeqëndrim, ka keqpërdorur pozitën zyrtare duke shmangur procedurat ligjore për përfitime personale. Ndaj saj rëndojnë dyshimet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Marrje e ryshfetit” dhe “Falsifikim i dokumentit zyrtar”.
Sipas dosjes hetimore, Fatma Shufta, zyrtare në Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) dhe motra e të dyshuarës së parë, dyshohet se ka shfrytëzuar pozitën dhe lidhjet familjare për të mundësuar pajisjen e shtetasve të huaj me lejeqëndrim jashtë procedurave ligjore, me qëllim përfitimin financiar.
Në këtë skemë dyshohet të jetë përfshirë edhe Dervis Keleci, pronar i një biznesi me numër të madh punëtorësh të huaj, i cili sipas hetimeve dyshohet se ka falsifikuar dokumentacionin e aplikantëve dhe ka dhënë ryshfet për të siguruar lejeqëndrime në kundërshtim me ligjin.
Gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova të shumta materiale dhe elektronike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertizës në kuadër të hetimeve.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, Gylsen Jahiri, Fatma Shufta dhe Dervis Keleci janë dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa Elvire Krasniqi Qerka është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti po hetohet me intensitet nga Sektori i Hetimeve të Departamentit të Policisë Kufitare, në koordinim me Prokurorinë, për të zbardhur plotësisht skemën e dyshuar dhe për të identifikuar persona të tjerë që mund të jenë përfshirë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!