Tre persona kanë përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës, pasi dyshohen se qëndrojnë pas një serie vjedhjesh të kryera në territorin e Obiliqit, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të arrestuarit janë Armend Bajrami rreth 22 vjeç, Avni Imeri rreth 36 vjeç dhe Edis Bajrami rreth 25 vjeç.
Sipas burimeve të Sinjalit, pas një pune intensive hetimore lidhur me disa raste të iniciuara si “Vjedhje”, hetuesit e Stacionit Policor në Obiliq kanë arritur t’i identifikojnë dhe lokalizojnë të dyshuarit.
Aksioni kulmoi më 21 korrik, kur tre të dyshuarit u kapën në flagrancë, teksa dyshohet se po kryenin edhe një vepër tjetër penale.
Në kuadër të hetimeve, si viktima të rasteve të dyshuara janë evidentuar A. R. rreth 34 vjeç, H. V. rreth 36-vjeç dhe R. R. rreth 62 vjeç.
Me urdhër të Prokurorit kujdestar, Armend Bajrami, Avni Imeri dhe Edis Bajrami janë dërguar në ndalim për 48 orë.
Sipas burimeve të Sinjalit, hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk përjashtohet mundësia që tre të arrestuarit të lidhen edhe me raste të tjera të vjedhjeve në rajonin e Obiliqit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!