Një 35-vjeçar ka përfunduar në Polici pasi dyshohet se ka kanosur dhe fyer dy zyrtarë policorë, pasi u njoftua se automjeti që drejtonte do të konfiskohej dhe do të dërgohej në Doganë, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i dyshuari është Qlirim Gashi rreth 36 vjeç.
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja ka ndodhur më 21 korrik, rreth orës 13:50, në rrugën “Haredin Bajrami” në Lipjan.
Gjatë patrullimit në fshatin Janjevë, zyrtarët policorë kanë ndaluar një veturë Opel Corsa me targa gjermane, të cilën e drejtonte i dyshuari.
Pas verifikimeve, Policia e ka njoftuar se automjeti do të konfiskohej dhe do të dërgohej në Doganë. Sipas dëshmitarëve, në ato momente Qlirim Gashi ka reaguar duke kanosur dhe fyer dy zyrtarët policorë.
I dyshuari është shoqëruar në stacionin policor, ku është intervistuar, ndërsa për rastin janë njoftuar edhe Hetimet Rajonale.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Kanosje”, ndërsa rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!