Bursat që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë do t’i ndajë sivjet për studentët e dalluar, nuk do të kenë mundësi t’i marrin edhe studentët e dalluar të Fakultetit Ekonomik dhe të disa fakulteteve të tjera.
Për shkak të këtij vendimi të MASHT-it, studentët e Fakultetit të Edukimit të nivelit Bachelor dhe Master, kanë vendosur që ta bojkotojnë mësimin nga nesër, me fillim prej orës 10:00, shkruan Gazeta Sinjali.
Studentët e Ekonomikut po ndjehen të cenuar nga privimi nga bursat e sivjetme.
“Ne si Këshill Studentor i FE duke parë rrjedhën e ngjarjeve të cilat po i dëmtojnë studentët tonë më meritor duke i anashkaluar nga bursa, kemi vendosur që të drejtat e studentëve t’i mbrojmë me çdo kusht deri në realizimin e kërkesave të tyre. Kështu ne në koordinim me kryetarët e grupeve të studentëve nga të gjitha departmentet e FE (programet Bachelor dhe Master) kemi marrë vendim që nesër më datë 07.11.2019 nga ora 10:00 ta bojkotojmë mësimin”, thuhet në njoftimin e Këshillit Studentor të Fakultetit të Edukimit.
Studentët e disa fakulteteve kanë protestuar për dy ditë radhasi para MASHT-it në shenjë pakënaqësie për mospërfshirjen e tyre në dhënien e bursave.
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka planifikuar që edhe këtë vit të ndajë bursa për studentët e dalluar, por sipas një njoftimi për medie, bursën prej 880 eurove nuk do të kenë mundësi ta fitojnë studentët e dalluar të të gjitha fakulteteve.
“Mbështetja e studentëve me bursa ka për qëllim përkrahjen e kuadrove deficitare, prandaj janë zgjedhur për mbështetje financiare vetëm fakultetet të cilat përgatisin kuadro deficitare.”, thuhet në njoftimin e zyrës për informim të MASHT-it ku njoftohet se Fakulteti i Edukimit dhe ai i Arteve nuk konsiderohen më si deficitare, prandaj studentët e këtyre fakulteteve nuk do të mbështeten financiarisht. /Gazeta Sinjali/