Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit të Kosovës, Rrahman Jashari, thotë se është shumë i zhgënjyer që po vihet në dilemë zbatimi i Ligjit për paga në sektorin e arsimit.
“Unë kam qëndrim të përbashkët me punëtorët e arsimit, jemi të zhgënjyer. Kemi punuar shumë, jemi angazhur shumë për Ligjin e pagave dhe tani të thuhet kalon, nuk kalon, është zhgënjim i arsyeshëm”, tha Jashari për Gazetën Sinjali.
I pyetur se a mund të priten greva e protesta nga SBASHK-u nëse ligji për paga nuk fillon së zbatuari me pagat e muajit dhjetor, kreu i sindikatës së arsimit tha se pret vendim unanim në mbledhjen e sotme të Këshillit Drejtues, pasi e din qëndrimin e anëtarëve.
“Unë nuk e di vendimin përfundimtar që do të merret sot në mbledhjen e Këshillit Drejtues, por besoj që do të merret një vendim unanim. Duke u bazuar në komunikimin e vazhduar me anëtarësinë, hetohet një zhgënjim i thellë, nëse ligji nuk fillon së implementuari në dhjetor. Do të thotë është një zhgënjim, një irritim i arsyeshëm i punëtorëve të arsimit, pasi me të drejtë kanë pritur që në dhjetor t’i marrin pagat me Ligjin për paga”, tha Jashari./Gazeta Sinjali/