image Sa policë të Kosovës po hetohen për vepra penale?

Kosovë

Sa policë të Kosovës po hetohen për vepra penale?

news image

637 ankesa ndaj zyrtarëve të Policisë së Kosovës janë bërë vetëm brenda gjashtë muajve të parë të këtij viti në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK).

Përderisa IPK rekomandoi dje për suspendimin e tre zyrtarëve policorë të Kosovës që u përfshinë në një rrahje në Prishtinë. IPK sivjet ka trajtuar edhe 637 ankesa, raporton Gazeta Sinjali.

Në një përgjigje për Gazetën Sinjali, IPK ka konfirmuar se 412 ankesa brenda këtij viti janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës, për hetim disiplinor.

Në përgjigjen e IPK-së thuhet se 225 ankesa janë në procedurë të Departamentit të Hetimeve të IPK-së.

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2019 IPK ka pranuar gjithsej 637 ankesa, ku prej tyre njëzet (22) kanë qenë informata”.

“Nga numri total prej 637 lëndëve, 412 ankesa janë dërguar në Drejtorinë e Hetimeve të Brendshme dhe Verifikim të Kaluarës në Policinë e Kosovës për hetim disiplinor, ndërsa 225 ankesa janë proceduar në Departamentin e Hetimeve në IPK”, thuhet në përgjigjën për Sinjalin.

Po ashtu, IPK është duke hetuar edhe hetuar 289 zyrtarë policorë për kryerje të veprave penale.

“Departamenti i Hetimeve të IPK-së për 6 mujorin e parë të 2019-ës  ka pranuar gjithsej 225 raste/ankesa për hetim preliminar, ndërsa me numër penal nga ankesat e pranuara janë regjistruar gjithsej 65 raste. Për dyshimin se kanë kryer vepra penale, janë duke u hetuar gjithsej 289 zyrtarë të policisë”, thuhet në përgjigje.

IPK deri më tani në gjashtë muajt e parë të këtij viti ka arrestuar 27 zyrtarë policor, ka arrestuar tre qytetarë, 40 zyrtar policorë ka suspenduar, 6 policë janë transferuar si dhe dy pjesëtarë të stafit civil janë suspenduar.

Gjatë ditës së djeshme, Gazeta Sinjali ka raportuar duke publikuar pamjet ekskluzive lidhur me përleshjen mes tre zyrtarëve policorë të Kosovës. Dy zyrtarë të njësisë speciale janë përfshirë në këtë konflikt së bashku me një tjetër zyrtar policor.

Pas raportimit të Sinjalit, IPK kishte rekomanduar suspendimin e tyre, për çka gjatë ditës së sotme ata janë suspenduar për 48 orë./Sinjali.com