image Sa para u ndanë saktësisht për "Trepçën", sqarohet Ministria e Ekonomisë

Kosovë

Sa para u ndanë saktësisht për “Trepçën”, sqarohet Ministria e Ekonomisë

news image

Qeveria e Kosovës më 16 nëntor ka njoftuar se ka ndarë 1 milion euro për ndërmarrjen publike “Trepça” pas kërkesës së kësaj të fundit për shkak të borxheve të mëdha. Por, tri ditë para këtij vendimi, kryeministri Avdullah Hoti kishte deklaruar se Qeveria do të ndajë 1.1 milion euro apo 100 mijë euro më shumë se vendimi që është marrë atë ditë, shkruan Gazeta Sinjali.

Pas këtij vendimi, Gazeta Sinjali ka kontaktuar Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit për të marrë një sqarim rreth mjeteve që janë ndarë për këtë ndërmarrje.

Në përgjigjen e MEA-së thuhet se 1 milion euro janë bartur nga Programi për Rimëkëmbjen Ekonomike në Njësinë për Ndërmarrje Publike.

Kështu që, sipas ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit, nga kjo njësi, përmes së cilës qeveria ka vendosur ta mbështesë ndërmarrjen “Trepça”, do të ndahen 1.1 milion euro.

“Aktualisht Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit në kodin e Njësisë për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike sipas vendimit nr. 10/33 të datës 28/09/2020 pika 1.5 në kategorinë e “Subvencione dhe Transfere” i janë ndarë  një million euro (1,000,000,00 €) për mbështetje të Ndërmarrjeve Publike.

Nga kjo shumë është paraparë mbështetje edhe për NP Trepça Sh.A. dhe me plotësim ndryshimin e Vendimit nr. 01/44 të datës 16/11/2020 janë alokuar për shfrytëzimin nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit. Këto mjete janë dedikuar ekskluzivisht për mbështetje të NP “Trepça” Sh.A. në vlerë prej një million euro  (1,000,000,00 €). Nga vendimi i datës 28/09/2020 dhe plotësim ndryshimi i tij në total për mbështetje të kësaj ndërmarrje do të transferohen mjetet në vlerë prej 1.1 milion euro (1,100,000,00 €) për të tejkaluar situatën nëpër të cilën po kalon,” thuhet në përgjigjen e MEA-së për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka pyetur ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit edhe për takimin që ka pasur kryeministri Hoti më 13 nëntor me bordin e përkohshëm të ndërmarrjes “Trepça”, si dhe “garancionin” që kjo ndërmarrje e ka dhënë në lidhje me menaxhimin.

“Bordi ka garantuar përmes Planit të Biznesit që do të dorëzojnë në Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit për mënyrën e menaxhimit të ndërmarrjes në të ardhmen dhe në këtë Plan Biznesi do të pasqyrohen veprimet të cilat do të ndërmerren nga bordi i ndërmarrjes karshi menaxhmentit  të ndërmarrjes për t’u siguruar që mos të vjen ndërmarrja prapë në këtë situatë”, thuhet tutje në këtë përgjigje.

Prandaj, sipas MEA-së, kjo ndërmarrje kushtëzohet që të marrë masa për strukturimin që duhet të ndodhë në këtë institucion.

“Për të tejkaluar këtë gjendje ndërmarrja “Trepça” Sh.A. kushtëzohet që përmes Planit të Biznesit të ndërmarrjes të ndërmarrë masa karshi ristrukturimit që duhet të ndodhë menjëherë në këtë ndërmarrje sipas zotimit të bordit të ndërmarrjes.”

Kombinati “Trepça” gjendet në Komunën e Mitrovicës, kurse sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

“Trepça” sot brenda Kosovës përbëhet prej 41 njësive të ndryshme, që grupohen kryesisht në tri komplekse të mëdha: në miniera me flotacione, në parkun industrial në Mitrovicë dhe në kompleksin e shkritoreve.

/GazetaSinjali/