Kryetari i Odës Ekonomike në Kosovë, Berat Rukiqi, ka reaguar pas paralajmërimit se Ministria e Shëndetësisë do të vendos masa të reja antiCOVID, shkruan Gazeta Sinjali.
Rukiqi ka thënë se gastronomët nuk do të jenë të vetmit që do të protestojnë kundër shtrëngimit të masave nga institucionet.
Sipas tij, biznesi nuk mund ta paguajë “faturën” e rritjes së numrit të rasteve për shkak të fushatës zgjedhore.
“Nëse ka shtrëngim masash, gastronomët nuk do të jenë të vetmit që do të protestojnë. Biznesi nuk mund të paguajë vazhdimisht ‘faturën’ e pandemisë, sidomos tani kur numri i rasteve është rritur, si pasojë e fushatës zgjedhore”, ka shkruar Rukiqi në Facebook.
Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka paralajmëruar protesta nga fillimi i javës së ardhshme.
Përmes një konference për media, nga kjo shoqatë kanë thënë se nuk do të respektojnë çfarëdo mase të mundshme të Qeverisë së Kosovës në detyrë.
Sipas tyre, rritja e numrit të rasteve gjatë ditëve të fundit, është si pasojë e tubimeve politike, gjatë fushatës për zgjedhjet e 14 shkurtit./Gazeta Sinjali/