image Rritet çmimi i naftës, pas vrasjes së gjeneralit iranian nga Amerika

Botë

Ekonomi/ Rritet çmimi i naftës, pas vrasjes së gjeneralit iranian nga Amerika

news image

Të premten çmimi i naftës u rrit dhe aksionet u ulën në tregjet më të mëdha botërore pas lajmit të vrasjes nga forcat amerikane të gjeneralit iranian Qassem Soleimani.

Treguesit në tregun e aksioneve në Londër, Frankfurt dhe Paris ranë ashtu sikurse edhe më herët në Hong Kong. Në Shanghai pati pak ndryshime ndërsa tregjet japoneze u mbyllën.

Jeffrey Halley përfaqësues i kompanisë së shkëmbit të valutës Oanda me qendër në Nju Jork foli për “pasiguri gjeopolitike që ka zbritur në tavolinat e investitorëve”, siç shprehej ai.

Deri tani nuk ka asnjë të dhënë se si do të reagojë Irani, por në të shkuarën Teherani ka konfiskuar anije çisternë e ka rrëzuar një dron ushtarak amerikan.

Qeveria amerikane ka fajësuar Iranin për sulmin ndaj depozitave të naftës së Arabisë Saudite në muajin shtator sulm përgjysmoi përkohësisht prodhimin e naftës.

Para përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, investitorët kishin pritshmëri të larta për një rritje më të fortë ekonomike botërore në vitin 2020 dhe nënshkrimin e një marrëveshje të përkohshme tregtare SHBA-Kinë.

Ata presin që Uashingtoni dhe Pekini të zyrtarizojnë marrëveshjen që ka ndihmuar në lehtësimin e tregut pas një lufte tregtare 18-mujore mes tyre. /Gazeta Sinjali/