image Rrahja në "Trepçë"/ Kërkohet paraburgimi i Rafet Ibishit dhe 4 të tjerëve që dyshohet se sulmuan Abdurrahmanin dhe Haxhiun

Drejtësi

Rrahja në “Trepçë”/ Kërkohet paraburgimi i Rafet Ibishit dhe 4 të tjerëve që dyshohet se sulmuan Abdurrahmanin dhe Haxhiun

news image

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore e këtij rajoni caktimin e masës së paraburgimit ndaj Rafet Ibishit, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Sulmi”, shkruan Gazeta Sinjali.

Përveç ndaj Ibishit, kjo masë është kërkuar edhe për katër të dyshuarit e tjerë, B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I., për veprat penale “Lëndimi i lehtë trupor” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit, duke qenë të pakënaqur me vendimin e Qeverisë së Kosovës mbi caktimin e drejtorit të ri në Trepçë, nën udhëheqjen e ish-drejtorit Rafet Ibishit, punëtorët janë mbledhur dhe kanë protestuar, me ç’rast i dyshuari – ish-drejtori R.I., (Rafet Ibishi), e ka sulmuar fizikisht ushtruesin e detyrës së kryeshefit të ri, E.A., (Enes Abdurrahmanin).

“Ndërsa, B.S., B.I., Sh.R., dhe Z.I., kanë sulmuar fizikisht të dëmtuarit E. A (Enis Abdurrahmanin) dhe drejtorin e Administratës në “Trepçë”, B.H., (Besim Haxhiun), të cilët kanë pësuar lëndime të lehta trupore dhe po ashtu këta të dyshuar kanë sulmuar zyrtarët policorë që kanë ndërhyrë në këtë rast, me ç`’rast zyrtarët policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Pesë të dyshuarit janë ndaluar me vendim të prokurorit ditën e djeshme me datë 18 tetor dhe të njëjtit gjenden në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata./GazetaSinjali/