Cristiano Ronaldo ka reaguar pasi Ali Daei e uroi për barazimin e rekordit të tij për më së shumti gola ndërkombëtarë, 109. Legjenda e Iranit tha “ndihem i nderuar që kjo arritje e shkëlqyer do t’i takojë Ronaldos”.
Sulmuesi i Juventusit shënoi dy gola nga pika e bardhë në barazimin e Portugalisë 2:2 me Francën, të mërkurën, duke e dërguar kombëtaren e vet në mesin e 16 më të mirëve në “Euro 2020”.
Me këto dy gola, ai e arriti shifrën e 109 golave në fanellën e Portugalisë, duke e barazuar rekordin e vendosur nga Daei për Iranin.
Ronaldos iu deshën 178 paraqitje për Portugalisë për t’i shënuar 109 gola, ndërsa Daeit iu kishin dashur vetëm 145 paraqitje për Iranin për ta arritur atë numër golash.
36-vjeçari debutoi për Portugalinë në gusht të vitit 2003, në moshën 18-vjeçare.
“Kampionët e vërtetë mbesin kampionë përgjithmonë. Jam shumë krenar që lexoj fjalë kaq të mira nga një idhull i madh si ju. Faleminderit Ali Daei”, shkroi CR7 në Instastory.
Ronaldo vendosi edhe një rekord evropian të mërkurën, duke u bërë futbollisti i parë evropian që i shënon 20 gola në dy turnetë më të mëdhenj ndërkombëtarë, Kupën e Botës dhe Euro.
Derisa, në këtë Euro 2020, ai ka thyer edhe rekorde tjera si; golashënuesi më i mirë në histori të Kampionatit Evropian, me 14 gola tashmë, pesë më shumë se Michel Platani, si dhe u bë futbollisti i parë në histori që luan në 5 Euro të ndryshme.
Për herë të parë, ai zbriti në fushë në Euro 2004, më pas në Euro 2008, në 2012, në 2016 ku triumfoi në finale me Portugalinë dhe tani në “Euro 2020”./Gazeta Sinjali Sporti/