Kameramani i Televizionit publik, Bardh Bekteshi, i cili u sulmua dje në Leposaviq, nga grupet kriminale, ka reaguar me anë të një statusi në Facebook.
Bekteshi, ka thënë se gjithmonë e ka pasur e do ta ketë si “armë” të vetme kamerën e tij. Përkundër sulmeve, mësymjeve e presioneve të lloj-llojshme me të cilat ai përballet gjatë punës së tij në terren, Bekteshi është treguar i vendosur ta vazhdojë këtë mision siç e quan ai fisnik.
Tutje Bekteshi, krahas falënderimeve për kolegët e mirënjohjes ndaj njerëzve që u kujdesën e i qëndruan pranë, ka pasur edhe një thirrje, për institucionet. Konkretisht, Bekteshi ka kërkuar angazhim më të madh të institucioneve për sigurinë e ekipeve të mediave, duke thënë se kjo çështje kërkon trajtim të shpejt.
Postimi i plotë:
“Përshëndetje njerëz te mirë!
Siç edhe e dini derisa po kryeja punën time prej kameramanit, dje edhe unë isha viktimë e sulmeve të grupeve kriminale të sërbeve në Leposaviq. Kjo nuk është hera e parë që në veri na vërsulen e na kërcenojnë, por kjo asesi nuk do të ndikoj që të na ndalin. E kundërta, këto raste na bejnë më të fortë më të bashkuar dhe më të vendosur për ta quar përpara këtë mision kaq fisnik. Unë edhe dje, edhe pardje, edhe sot e nesër, edhe gjithmonë, përballë këtyre situatave armën e vetme në dorë e kam kameren me të cilën punojë për me shumë se dy dekada.
Prandaj do të vazhdoj punën dhe angazhimin tim sado e vështirë që mund te jetë! Pas asaj qe ndodhi dje, kam marrë shume telefonata e mesazhe interesimi për gjendjen time.
Përmes këtij postimi, ndjej për obligim që të ju njoftoj se unë jam mirë dhe të ju falenderoj përulësisht për interesimin dhe mbeshtetjen tuaj. Faleminderit edhe RTK-së , drejtuesve të saj dhe gjithë kolegeve per mbeshtetjen dhe interesimin e treguar për mua, gazetaren Veneren dhe teknikun Mentorin qe dje ishim bashkë. Po ashtu mirënjohje dhe falenderime edhe per institucionet e shtetit tonë që edhe kësaj radhe u solidarizuan me ne. Përtej kësaj mendoj se angazhimi më i madh për sigurinë tonë si ekipe te mediave, është çështje që kërkon trajtim të shpejtë.
Faleminderit të gjithëve!
I juaji Bardhi”