Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, në një konferencë për media në Gjilan, ka thënë se rreth 100 policë në Kosovë kanë probleme me shëndetin mendor dhe se aktualisht janë duke u trajtuar.
“E kemi një gjendje jo të mirë të policëve që kanë edhe probleme psikike”, ka thënë Qalaj.
Ai ndër të tjera ka thënë se të njëjtit nuk mund t’i shkarkojnë nga puna, si pasojë e mungesës së Ligjit për Policinë.
“Për shkak të mungesë së ligjit duhet t’i mbajmë në punë”, ka shtuar tutje Qalaj.
Në këtë konferencë të përbashkët kanë marrë pjesë edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu dhe kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri.
Dje në orët e para të pasdites, në lagjen Bujana të Gjilanit, ndodhi një vrasje e shumëfishtë. Në këtë tragjedi, zyrtarja e Policisë së Kosovës, Valdete Bllaca, ka vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe më pas veten.
Siç është konfirmuar edhe nga burime, policja në fjalë, tashmë e ndjerë, kishte pasur probleme psikike dhe para një kohe ishte nënshtruar një trajtimi psikik. Megjithatë ajo asnjëherë nuk ishte suspenduar nga puna por vetëm ishte propozuar që të ulej në gradë./GazetaSinjali/