Drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës ka bërë të ditur se nga “Hulumtimi serioepidemiologjik” ka rezultuar se rastet e reja të infektuara me COVID-19 u takojnë më shumë grupmoshave nga 10 deri në 29 vjeç.
Me këtë rast, ai ka thënë se për shkak të vaksinimit, vetëm një numër i vogël i personave mbi 50 vjeç janë infektuar me koronavirus.
“Hulumtimi titullohet “Rezultatet e hulumtimit seriepidemiologjik” të bazuar në popullatë të shtresuar sipas moshës për infeksionin SARS-CoV-2 në Kosovë. Ky raport paraqet rezultatet preliminare të realizuara sipas protokolit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe të udhëhequr nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Grupmosha më e prekur ka qenë 30-39 vjeç kurse javët e fundit kemi vërejtur ndryshim të strukturës moshore për shkak të vetë natyrës së variantit Delta që zbret në moshat 10 dhe 19 dhe 20-29. 1 e 5’ta e të gjithë të infektuarve bie në moshë 10 deri në 29 vjeç. Që prapë flet për atë se një karakteristikë e vaksinimit të suksesshme në moshat e shtyra ka bërë që vaksinimi të tregoj suksesin e vet. Këtë e vërtetojmë se moshat mbi 50 vjeç është një përqindje më e vogël e të sëmurëve me COVID-19 pasi që një pjesë dërmuese e tyre janë vaksinuar me një dhe dy doza”, ka thënë ai.
Përndryshe, Ramadani ka thënë se Kosova ende nuk ka arritur të krijoj imunitetin masiv.
“Vetëm 38.8 për qind e popullatës kanë IGG pozitive. Rezultat tregojnë qartë se akoma nuk është rritur imuniteti kolektiv i kënaqshëm që duhet për t’u mbrojtur në mënyrë natyrale nga pandemia COVID-19. Mbetet që masa më e mirë me e lirë dhe më efikase në mbrojtje nga COVID-19 është vaksinimi masovik i popullsisë në Republikën e Kosovës të cilën po e bënë Ministria e Shëndetësisë”, ka thënë ai. /GazetaSinjali/