image Qeveria në detyrë ndan 165 mijë e 850 euro shtesë për zgjedhjet e 14 shkurtit

Financa

Qeveria në detyrë ndan 165 mijë e 850 euro shtesë për zgjedhjet e 14 shkurtit

news image

Në mbledhjen e sotme, qeveria në detyrë ka aprovuar alokimin e parakohshëm nga ndarjet aktualet buxhetore të organizatës buxhetore të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas kërkesës së datës 8 janar 2021 të adresuar nga ky komision, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali ka siguruar këtë vendim, në të cilin thuhet se janë ndarë 165 mijë e 850 euro shtesë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Në arsyetimin e këtij vendimi thuhet se KQZ me Ligjin e Buxhetit ka të ndara në programin e zgjedhjeve shumën prej 8 milionë e 51 mijë e 575 euro, të cilat mund të përdoren për përmbushjen e këtij obligimi.

“Kërkesa e KQZ-së e datës 08.01.2021, sipas këtij vendimi përmbushet përmes alokimeve të parakohshme të buxhetit tashmë të ndarë me Ligjin për Buxhetin e vitit 2021 në mallra dhe shërbime, si dhe ndarjes shtesë buxhetore në kategorinë e kapitaleve dhe shpenzimeve komunale”, thuhet në dokument.

Ndërkaq, sa i përket pagesës së orëve të punës jashtë orarit, në vendimin e qeverisë në detyrë thuhet se do të përdoret ndarja aktuale buxhetore, ndërsa kalkulimi dhe pagesa e tyre bëhet sipas legjislacioneve në fuqi, deri në kufirin e lejuar për punë jashtë orarit./Gazeta Sinjali/