image KQZ: Zgjedhjet në veri mund të zgjasin disa muaj

Politikë

KQZ: Zgjedhjet në veri mund të zgjasin disa muaj

news image

Komisioni Qendror Zgjedhor është ende në procesin e verifikimit të nënshkrimeve të mbledhura në peticionin e organizuar në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok për shkarkimin e kryetarëve aktual.

Në KQZ thonë se ky proces do të marrë kohë, pasi të dhënat që i kanë pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të ketë ndonjë datë të saktë se kur do të përfundojë procesi i verifikimit. Në anën tjetër, partia në pushtet, por edhe njohës të proceseve zgjedhore konsiderojnë se deri te shpallja e zgjedhjeve të reja në katër komunat veriore, do të nevojiten disa muaj.

“Ky proces do të na marrë kohë, pasi të dhënat që i kemi pranuar janë të mbledhura në format fizik, andaj nuk mund të jap ndonjë datë të saktë, por pas përfundimit të tij, do të njoftojmë ministrinë, kryesuesit e Kuvendeve Komunale, kryetarët e komunave dhe grupet nismëtare. Natyrisht se përgjigja e KQZ-së, do të bëhet edhe publike”, thotë për KosovaPress, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Sipas udhëzimit administrativ, nëse KQZ-ja konfirmon se nënshkrimet e mbledhura janë të përshtatshme dhe i verifikon, organizohet votimi për shkarkimin e kryetarit, i cili duhet ta mbahet brenda 45 ditëve. Që ky votim të jetë i suksesshëm, kërkohet 50 për qind plus një votë e qytetarëve me të drejta vote.

Pas kësaj, rezultati i dërgohet presidentes, Vjosa Osmani, e cila ka afat ligjor prej 30 deri na 45 ditë për t’i shpallur zgjedhjet e parakohshme në veri.

Kryetarët shqiptarë të komunave në veri u zgjodhën në prill të vitit 2023, në zgjedhjet që u bojkotuan nga serbët, në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovë.

/GazetaSinjali/