image Qeveria merr vendim që testet për koronavirus të kryhen edhe në institucionet private shëndetësore

Shëndetësi

Qeveria merr vendim që testet për koronavirus të kryhen edhe në institucionet private shëndetësore

news image

Laboratoret private dhe institucionet tjera private shëndetësore do të licencohen nga Ministria e Shëndetësisë për të kryer teste për COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.

Kjo është një nga pikat e vendimit të djeshëm të Qeverisë së Kosovës që po synon që t’i rris kapacitetet edhe me personel shëndetësor. Këtu do të përfshihet mobilizimi i stafit shëndetësor në nivel vendi, duke përshirë sipas nevojave edhe ata profesionistë shëndetësorë që nuk janë të angazhuar momentalisht si dhe të shtohen kapacitetet në shërbimin e mikrobiologjisë, infektologjisë dhe shërbimeve të tjera të lidhura drejtpërdrejt me rastet COVID-19.

Me vendimin e djeshëm, Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet kompetente shëndetësore janë obliguar të ndërmarrin veprimet e nevojshme dhe të menjëhershme për të realizuar testimet virologjike, duke përfshirë shfrytëzimin e plotë të kapaciteteve ekzistuese për testim, krijimin e kapaciteteve të reja testuese në regjione, licencimin e institucioneve private shëndetësore për të kryer testime për COVID 19, në përputhje me ligjet në fuqi, etj.

Në maj, Gazeta Sinjali kishte raportuar për një laborator privat në Prishtinë që po kryente teste rapide për koronavirus. Pas raportimit, Ministria e Shëndetësisë e udhëhequr nga Arben Vitia ia kishte ndalë punën këtij laboratori. /Gazeta Sinjali