image Qalaj rrezikon të penalizohet, aderoi në PDK ende pa iu aprovuar dorëheqja në polici

Kosovë

Qalaj rrezikon të penalizohet, aderoi në PDK ende pa iu aprovuar dorëheqja në polici

news image

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, u prezantua dje si aderimi më i ri në Partinë Demokratike të Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Në një konferencë të përbashkët me kryetarin në detyrë dhe kandidatin e PDK-së për kryeministër, Qalaj ju tha gazetarëve se ai ka dhënë dorëheqje nga çdo pozitë në Policinë e Kosovës.

Por, duket se Qalaj është nxituar pak për të aderuar në këtë parti.

Burime të Gazetës Sinjali brenda policisë kanë bërë të ditur se Qalaj ka ofruar vetëm dje dorëheqje me shkrim, ndërkaq pasdite u paraqit në konferencën për media.

Këto burime bëjnë të ditur se paraqitja e dorëheqjes në mëngjes dhe dalja në media si aderues në parti politike pasdite, përbën shkelje të rregulloreve të brendshme të policisë dhe Kodit të Etikës për Zyrtarët e Lartë Policorë.

Sipas këtyre burimeve, dorëheqja është akt vullnetar dhe i garantohet secilit pjesëtar të policisë, por si akt duhet t’u nënshtrohet disa procedurave të brendshme, të cilat në asnjë mënyrë nuk mund të realizohen brenda ditës.

Andaj, për këtë arsye, pjesëtari i Policisë së Kosovës detyrohet që të respektojë afatet e parapara për ofrimin e dorëheqjes, të bëjë dorëzimin e të gjitha pajisjeve dhe aseteve të policisë, si dhe të marrë konfirmimin përfundimtar nga përgjegjësit e personelit se dorëheqja e tij/saj është aprovuar.

Tek atëherë një pjesëtar/pjesëtare e policisë konsiderohet se nuk është më pjesë e këtij instistucioni.

Në rastin e Qalajt, i cili sipas burimeve të Gazetës Sinjali, nuk ka përfillur këto procedura të brendshme të policisë, policia ka të drejtë të iniciojë së paku procedurë disiplinore, për shkak se kërkesa e tij për dorëheqje nuk ka marrë aprovim final.

Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe zyrtarisht në adresë të Policisë së Kosovës, pas konferencës së Qalajt dje, por nuk ka pranuar ende përgjigje.

Përgjigje për këtë rast Gazetës Sinjali nuk i dha as vetë Qalaj, kur u pyet për një prononcim./Gazeta Sinjali/