image Punonjësit e Shërbimit Korrektues paralajmërojnë protestë

Sociale

Punonjësit e Shërbimit Korrektues paralajmërojnë protestë

news image

Pjesëtarët e Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë paralajmëruar protesta, në rast se nuk do të përfshihen në listën e pagesave shtesë prej 300 eurosh për muajin korrik dhe gusht. 

Kështu ka bërë të ditur Kryetari i Sindikatës së Shërbimit Korrektues të Kosovës, Zenun Sadikaj, i cili tha se tashmë me kërkesat e tyre i kanë drejtuar një letër edhe ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi, por që ende nuk kanë marr ndonjë përgjigje.

Sadikaj tha se edhe ky institucion i sigurisë është përballur me numër të konsiderueshëm të stafit dhe të burgosurve që janë prekur nga Covid-19, prandaj kërkojnë që edhe ata t’i marrin pagat shtesë për dy muajt e kaluar.

Kryesindikalisti i Shërbimit Korrektues të Kosovës deklaroi se pagat shtesë për muajin prill dhe maj i kanë marrë.

“Ne me një shkresë i jemi drejtua Ministrit të Drejtësisë më datën 28.08.2020 nga i cili kemi kërkuar që të përfshihemi në pakon për kompensim të ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandëmisë Covid-19. Ne si institucion i sigurisë jemi përballur me një numër të konsiderueshëm infektimesh, si tek stafi ashtu edhe tek të dënuarit, andaj kërkojmë që edhe në të përfshihemi në këtë pako financiare. Punonjësit e SHKK-së do i shfaqin pakënaqësitë e tyre nëse nuk arrihet të përfshihemi në këtë pako….më herët kemi qenë të përfshirë, dy herë nga 300 euro…sipas informacionit që kemi, tani nuk jemi të përfshirë. Ne i kemi dërguar ministrit kërkesë, por nuk kemi asnjë përgjigje. Po ndihemi të anashkaluar”, tha ai.

Sadikaj tha se nëse qeveria nuk i merr parasysh kërkesat e pjesëtarëve të Shërbimit Korrektues, ata edhe do të protestojnë deri në realizimin e kërkesës së tyre.

“Paralajmërohet edhe protestë, sikurse edhe Policia me siguri, që nëse nuk përfshihemi do të futemi edhe ne në protestë”, tha ai.

Për mospërfshirje në pagesën shtesë prej 300 eurosh për muajin korrik dhe gusht, protesta kanë paralajmëruar edhe Policia e Kosovës, ndërsa greva dhe protesta kanë mbajtur edhe punëtorët teknikë, higjienikë, si dhe ata të sigurimit të Qendrave të Mjekësive Familjarë dhe QKUK-së./Gazeta Sinjali/