Punëtorët shëndetësorë do të protestojnë sot para objektit të Qeverisë së Kosovës, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas njoftimit të Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, qëllimi i kësaj proteste është sensibilizimi i opinionit dhe udhëheqjes vendore lidhur me gjendjen e rëndë sociale të punëtorëve shëndetësorë.
Ata kërkojnë përmirësimin e statusit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik, të punëtorëve shëndetësorë në veçanti.
“Kërkojmë nga Qeveria dhe nga gjithë popullata që të kuptojnë qartë kërkesën tonë e cila nuk është aspak politike, por kërkesë e cila ndikon drejtpërsëdrejti në përmirësimin e statusit dhe mirëqenien e të punësuarve në sektorin publik e të punëtorëve shëndetësorë në veçanti. Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës kërkon që Qeveria të jetë transparente dhe bashkëpunuese me organizatat sindikale në përpilimin e draftit të Projektligjit për Pagat në sektorin publik”, thuhet në komunikatë./GazetaSinjali/