image Punëtorët e Telekomit lajmërojnë protestë për 6 nëntor

Kosovë

Punëtorët e Telekomit lajmërojnë protestë për 6 nëntor

news image

Federata Sindikale e Pavarur e Postës dhe Telekomunikacionit të Kosovës ka paralajmëruar protestë për të premten, për shkak se thonë se qeveria nuk i ka marrë parasysh kërkesat e tyre, pas bllokimit të llogarive nga Devollët, shkruan Gazeta Sinjali.

Në njoftimin e kësaj sindikate bëhet e ditur se protesta do të fillojë nga ora 11:00, para objektit të Telekomit, në të gjitha qendrat e Kosovës.

“Javët e fundit kanë qenë të rënda për Telekomin e Kosovës dhe për neve si punonjës. Fillimisht, janë bllokuar xhirollogaritë dhe me dt:29.10.2020 janë tërhequr të gjitha mjetet financiare nga ish-kompania Dardafon dhe zhvatësi, oligarku 10-vjeçar, Blerim Devolli dhe përmbaruesi Ilir Mullhaxha.

FSP-PTK edhe pse është në kontakt të vazhdueshëm me institucionet shtetërore, ku kemi bërë përpjekje për gjetjen e një zgjidhje të shpejtë përmes dialogut social me të gjitha palët e përfshira, mirëpo deri më tani nuk kemi hapa konkretë nga qeveria e Republike se Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit!

FSP-PTK sipas Ligjeve në fuqi dhe Statutit të Sindikatës, ka paralajmëruar në konferencën e dt:02.11.2020 për hapat që do të ndërmerren ditëve në vazhdim.

Protestën do të fillojnë nga dt:06.11.2020 sipas hapave të paralajmëruar (e premte, protestë 1h nga 11:00-12:00) para objekteve kryesore të Telekomit në të gjitha qendrat e Kosovës“, thuhet në njoftim.

FSP-PTK ka paralajmëruar se nëse vazhdojnë të injorohen kërkesat e bëra më 29 tetor, grevat dhe protestat do të vazhdojnë sipas paralajmërimeve.

Kjo sindikatë thotë se ka marrë përkrahje nga sindikata e Postës së Kosovës, FSP-Elektrokosova dhe sindikata e re e KEK-ut./Gazeta Sinjali/