Një taksist u plagos sonte rreth orës 21:00 në rrugën “George Bush”, në qendër të Prishtinës. Gjithë ngjarja ndodhi pas një konflikti verbal që viktima kishte me të dyshuarin 33-vjeçar, I.I. i cili po ashtu është taksist.
33-vjeçari përfundoi në prangat e Policisë dhe iu sekuestrua arma që përdori për ta plagosur viktimën.
Por cili është motivi i plagosjes?
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se motivi qe çoi në plagosje ishte një ngatërresë banale.
Të njëjtat burime njoftuan se ishin fjalët “pse po m’kqyr” që shtynë të dyshuarin t’ia drejtojë armën taksistit.
Sinjali raportoi me pamje nga vendi i ngjarjes, ku kanë dalë njësitë e Policisë.
Nga Policia konfirmuan rastin për Sinjalin dhe njoftuan se kanë nisur hetimet.
“Sot rreth orës 21:00 është raportuar për një gjuajtje me armë zjarri në rrugën “George Bush”, në Prishtinë. Pas marrjes së informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet relevante policore, të cilat menjëherë kanë arritë të identifikojnë dhe arrestojnë personin e dyshuar. Personit të dyshuar. I.I, mashkull 33 vjeç, i është gjetë dhe sekuestruar një armë zjarri. Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast një person është lënduar, dyshohet nga arma e zjarrit. Aktualisht hetuesit policor kanë nisur një hetim për sqarimin e të gjitha rrethanave që lidhen me rastin”, thuhet në njoftimin e Policisë, ka thënë Flora Ahmeti nga Policia e Kosovës.