Një kompani tragetesh në Hong Kong ka ndaluar një grup protestues të hipnin në një anije në Macao, me kërkesë të policisë nga ai territor, ku mbërriti presidenti kinez Xi Jinping.
Përpara mbërritjes së Xi, rreth 10 protestues pro-demokracisë, përfshirë aktivistin Leung Kwok Hung me nofkën “Flokëgjati”, shfaqën postere me fotografi të kryeministrit Xi dhe shefes së qeverisë së Hong Kongut, Kerry Lam në qendrën tregtare pranë terminalit të trageteve që shkojnë drejt Macao.
Demonstruesit nxorën në pah pesë nga kërkesat e njohura më parë, përfshirë kërkimin e një shkalle më të lartë të demokracisë, dhe kujtuan lëvizjen demokratike nga sheshi ‘Tiananmen’ i Pekinit që u shua me gjak nga ushtria kineze në viti 1989.
Grupi nuk u lejua të hipë në traget dhe ndërmarrja njoftoi policinë e Macaos, duke u kërkuar autoriteteve të mos lejojnë hyrjen e tyre në territor, duke shpjeguar se Leung dhe të tjerët kishin për qëllim të prishnin aktivitetet për 20-vjetorin e kthimit të Macaos nën kontrollin e Kinës.
Leung tha se “qeveria kineze dëshiron ta bëjë Macao një qendër financiare globale, siç është Hong Kongu”, dhe pyeti “si (qeveria kineze) mund t’i bindë njerëzit të investojnë atje nëse i pengon ata të largohen”.
Macao si Hong Kongu ka një sistem të veçantë juridik në raport me Kinën. Përpara përkujtimit të 20-vjetorit të kthimit të Macao nën kontrollin kinez, media shtetërore javët e fundit kanë nxjerrë në pah ish-koloninë portugeze si një shembull të ndritshëm të funksionimit të sistemit “një vend – dy sisteme”.
Ky parim në Hong Kong u vu në pikëpyetje gjatë demonstratave antiqeveritare që kanë zgjatur që nga fillimi i qershorit dhe që atëherë janë shndërruar në një luftë për të drejtat demokratike dhe mbrojtjen e lirive civile të garantuara në vitin 1997 kur Britania ktheu territorin tek autoritetet e Kinës.
Për dallim nga Hong Kongu, banorët e Macaos bëjnë shumë më pak rezistencë ndaj qeverisë komuniste në Pekin./Gazeta Sinjali/