image Protestuesit me ultimatum për menaxhmentin e Trepçës – Menaxhmenti: Ne nuk japim dorëheqje

Kosovë

Mitrovicë/ Protestuesit me ultimatum për menaxhmentin e Trepçës – Menaxhmenti: Ne nuk japim dorëheqje

news image

Më shumë se 100 persona kanë dalur sot për të protestuar para objektit të menaxhmentit të ndërmarrjes Trepça në Mitrovicë, duke shprehur pakënaqësitë e tyre me procesin e fundit të punësimit në këtë ndërmarrje.

Ata dhanë ultimatum që tre kërkesat e tyre kryesore, dorëheqja e menaxhmentit, bordit, si dhe anulimi i konkursit, të përmbushen deri sot në orën 14:00, në të kundërtën, paralajmëruan nga nesër protesta më masive para hyrjes së minierës.

Ndërkaq, menaxheri i Trepçës, Basri Ibrahimi, në një bisedë me Gazeta Sinjalin, ka thënë se ata do të vazhdojnë punën e tyre si zakonisht, pa ndërmarrë ndonjë veprim sepse sipas tij protestat janë njerëzore dhe çështjet sociale të Mitrovicës nuk mund t’i zgjidhin.

‘’Ne kurrfarë hapa s’kemi ndërmarrë, ne vazhdojmë punën tonë, ne s’kemi punë me protesta, kërkesat janë njerëzore dhe çështjet sociale të Mitrovicës ne s’mund t’i zgjidhim’’, ka thënë Ibrahimi.

Basri Ibrahimi, për ultimatumin e dhënë nga protestuesit nuk ka folur por sa i përket dorëheqjes ai tha se ‘’nuk mund të jap veç pse dikush kërkon’’.

‘’Dorëheqje unë kam kujt t’i jap, jo kush kërkon, nëse duhet, jap te organet që më mbikëqyrin dhe që jap llogari’’, theksoi Ibrahimi.

Ndryshe, për protestën e qytetarëve të Mitrovicës, ka reaguar edhe kryetari i Komunës, Agim Bahtiri, ku ka deklaruar se do t’i mbështesë fuqishëm sepse kanë të drejtë.

”Pajtohem dhe mbështes fuqishëm protestën e nesërme me anë të së së cilës shaljanët kërkojnë drejtësi dhe barazi, sepse ky duhet të jetë synimi kryesor në shoqërinë tonë”, ka shkruar Bahtiri./Gazeta Sinjali/