Protestat antiqeveritare në Sofje po vazhdojnë edhe sot, për të shtatën ditë me radhë.
Demonstruesit u tubuan sot pasdite rreth orës 17:00 sipas kohës lokale dhe pritet që protesta të vazhdojë deri natën vonë, lajmëruan mediumet bullgare.
Kryeministri bullgar, Bojko Borisov e hodhi poshtë kërkesën e presidentit Rumen Radev, që qeveria e tij e koalicionit, e përballur me protesta masovike antiqeveritare, të japë dorëheqje.
Ai paralajmëroi se pasojat nga pandemia ndaj ekonomisë bullgare do të jenë shumë serioze dhe tha se në samitin e BE-së, të premten, do të angazhohen që Bullgaria të marrë ndihmë financiare nga fondi për rikuperim nga kriza e koronës, që duhet të paraqesë 750 milairdë euro (857 miliardë dollarë amerikanë).
Mijëra bullgarë protestojnë me ditë nëpër rrugët e Sofjes, duke kërkuar dorëheqjen e Borisovit dhe kryeprokurorit të shtetit, duke i akuzuar për korrupsion dhe sjellje mafioze. Protestat, ndërkohë, u zgjeruan në qytetet bregdetare Varnë dhe Burgaz si dhe Pllovdiv në jug./Gazeta Sinjali/