image Stomatologët e papunë do të protestojnë për herë të nëntë

Kosovë

Njoftimi/ Stomatologët e papunë do të protestojnë për herë të nëntë

news image

Specialistët e papunë të stomatologjisë sot nga ora 10:00 do të protestojnë për herë të nëntë para Ministrisë së Shëndetësisë.

Ata thonë se Ministria e Shëndetësisë nuk po e respekton Ligjin për Shëndetësi, një pikë e së cilit thotë se specialistët e licencuar do të punësohen nëpërmjet programit të veçantë të ministrisë për periudhën 3 vjetore, shkruan Sinjali.

“Këto protesta do t’i vazhdojmë deri në realizimin e kërkesave tona ligjore, pika 7 e nenit 72 të Ligjit për Shëndetësi e garanton këtë: Me qëllim të përmirësimit të kualitetit të punës në të tri nivelet e kujdesit shëndetësor; specialistët e licencuar të cilët e kanë pëfunduar shkollimin specialistik në bazë të kontratës me Ministrinë, do të punësohen nëpërmjet programit të veçantë të Ministrisë për periudhën prej tri (3) viteve”, thuhet në njoftimin për protestë.

Stomatologët rikujtojnë dy deklarata: njërën të ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismailit dhe një tjetër të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, të cilat ata nuk i kanë mbajtur.

“Këtu po ua rikujtojmë dy deklarata: : Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, në vizitën e tij të realizuar në Spitalin e Prizrenit bashkë me kryeparlamentarin Kadri Veseli, ka deklaruar para të pranishëmve se: “…nuk do të mbetet asnjëri nga specialistët i papunë! ” Kadri Veseli: “…nuk do të ketë mjek specialist të papunë në Kosovë dhe nuk do të lejojmë që të shkolluarit këtu të ikin jashtë””, përfundon paralajmërimi i stomatologëve për protestën e radhës.

Specialistët e stomatologjisë protestuan edhe dje para Ministrisë së Shëndetësisë për herë të tetë. Sot do të jetë hera e nëntë që ata do t’i përsërisin kërkesat e tyre që ishin edhe premtime të ministrit të Shëndetësisë. Protestat e tyre kanë nisur që nga dimri, por nuk janë trajtuar seriozisht asnjëherë. /Sinjali