Punëtorët e Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës sot kanë protestuar para Divizionit të Termocentralit “Kosova B”.
Njëri nga organizatorët, Nexhat Llumnica, nënkryetar i Sindikatës së Re të Korporatës energjetike të Kosovës, ka thënë që i kanë adresuar kërkesat e tyre, por që deri më tani nuk janë marrë parasysh.
Llumnica u shpreh se kërkesat kryesore janë që sigurimi shëndetësor të bëhet për afat njëvjeçar e jo për çdo tre muaj sikurse është tani, dhe të zbatohet marrëveshja kolektive dhe ajo sektoriale.
“Ne kemi adresuar disa kërkesa që dy vjet, që të respektohet ligji i punës ashtu siç është i përcaktuar, shteti i Kosovës përcakton ligje, kurse në ndërmarrjet më të fuqishme publike duhet të protestohet për respektim të ligjit”.
“Ne kemi realizuar planin mbi 100 për qind, 116 për qind të vitit në nëntor kemi tejkaluar planin e këtij viti ‘Kosova B’, dhe divizione tjera kanë tejkaluar planin, në marrëveshjen e përgjithshme kolektive neve na takon edhe paga e 13-të”.
“Nuk njihen pushimet vjetore me vende me rrezikshmëri, që duhet të jenë 30 ditë pushim vjetor. Nuk bëhet marrëveshja kolektive, e vetmja ndërmarrje publike që ka marrëveshje kolektive në nivel të ndërmarrjeve është KEK-u edhe pse KEK është ndërmarrja më gjigante në Kosovë, ma e fuqishmja edhe financiarisht edhe me prodhim”, u shpreh Llumnica./GazetaSinjali/