image Prokurorisë i bëhet thirrje që të hetojë deputetët për shpenzimet në derivate

Kosovë

Prokurorisë i bëhet thirrje që të hetojë deputetët për shpenzimet në derivate

news image

Sot, në media janë publikuar emrat e dhjetë deputetëve që kanë harxhuar më së shumti nga buxheti i Kosovës për të mbuluar shpenzimet e derivateve për të dalë në punë, raporton Gazeta Sinjali.

Në mesin e tyre ishte edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Yllza Hoti, e cila ndonëse jeton në Prishtinë, raportoi se harxhoi 810 euro për karburant vetëm për dy muaj.

Kjo nxiti reagime të shumta në publik. Në mesin e atyre që reaguan është edhe ish-zëvendësministri i Arsimit, Jusuf Thaçi, i cili ka kërkuar që Prokuroria dhe Gjykata të marrin masat në rast se ka deputetë që e kanë keqpërdorur këtë të drejtë.

Ai po ashtu, ka kërkuar që kuvendarët që e kanë shpërdoruar këtë privilegj, të japin dorëheqje ose nëse nuk e bëjnë këtë, të përjashtohen nga partia.

“Nëse konfirmohet se ndonjë deputet/e ka mashtruar në lidhje me shpenzimet e udhëtimit, përkatësisht ka përvetësuar para publike përmes mashtrimit, atëherë: 1. Ai/ajo duhet të japë dorëheqje nga pozita e deputetit, sepse më nuk ka as integritet e as legjitimitet për të përfaqësuar qytetarët.

“2. Nëse ai/ajo nuk jep dorëheqje, atëherë është detyrë e subjektit politik që i përket ai/ajo që ta largojë nga grupi parlamentar dhe nga partia (meqë mandatin e deputetit nuk mund t’ia marrë). Nëse partia nuk ndërmerr asgjë ndaj tij/saj, atëherë është bashkëfajtore për këtë mashtrim.”

“3. Prokuroria dhe gjyqësia duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme ndaj atij/asaj deputeti/eje për mashtrim dhe përvetësim të parasë publike në mënyrë të kundërligjshme, sepse deputetët nuk kanë imunitet për vepra penale.”

“Ndërsa, rastet tjera kur deputetët e shfrytëzojnë këtë të drejtë që ua mundëson legjislacioni në fuqi, pa e keqpërdorur, ky është diskutim krejt tjetër”, shkroi Thaçi në Facebook./GazetaSinjali/