Bashkimi Evropian ka dënuar deklaratat e administratës së presidentit amerikan Donald Trump kundër Gjykatës Penale Ndërkombëtare (ICC), pasi Uashingtoni paralajmëroi masa të reja për ta izoluar institucionin me seli në Hagë.
Zëdhënësi i BE-së, Anouar El Anouni, tha se Bashkimi Evropian mbështet fuqishëm drejtësinë penale ndërkombëtare dhe luftën kundër pandëshkueshmërisë, duke theksuar se kërcënimet ndaj zyrtarëve dhe bashkëpunëtorëve të ICC-së janë të papranueshme.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se SHBA-ja synon ta “çmontojë” Gjykatën Penale Ndërkombëtare, duke e cilësuar atë si një kërcënim për sovranitetin amerikan.
Ai paralajmëroi se Uashingtoni do t’u bëjë presion edhe vendeve të tjera që të tërhiqen nga ICC-ja dhe të ndërpresin mbështetjen financiare për të, raporton Euronews, transmeton Sinjali.
Sipas Departamentit amerikan të Shtetit, administrata do të përdorë të gjitha mjetet diplomatike për të kufizuar veprimtarinë e gjykatës dhe për të parandaluar çdo përpjekje të saj për të hetuar ose ndjekur penalisht zyrtarë dhe ushtarakë amerikanë.
Nga ana tjetër, ekspertë të së drejtës ndërkombëtare e kanë kritikuar këtë qasje. Ish-drejtori i Human Rights Watch, Kenneth Roth, tha se administrata amerikane po përpiqet të shmangë përgjegjësinë për krime lufte, duke e paraqitur këtë si mbrojtje të sovranitetit.
Gjykata Penale Ndërkombëtare ka juridiksion vetëm për krimet e kryera në territorin e shteteve që janë palë në Statutin e Romës. Shtetet e Bashkuara nuk e kanë ratifikuar këtë traktat.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!