Një gjykatë në Britani ka vendosur se qeveria ka marrë një vendim “të paligjshëm” lidhur me kufizimin e të drejtave ligjore të emigrantëve që përballen me kthim në Francë, në kuadër të marrëveshjes “një hyn, një del”.
Vendimi erdhi pas një padie të ngritur nga pesë azilkërkues dhe persona të tjerë që ishin kthyer në Francë sipas kësaj marrëveshjeje.
Gjykatësi Clive Sheldon tha se ndryshimi i bërë nga qeveria britanike në udhëzimet për viktimat e trafikimit njerëzor ishte i paligjshëm, pasi ua kufizonte disa emigrantëve mundësinë për të kërkuar rishikim të vendimeve negative.
Qeveria britanike kundërshtoi vendimin dhe njoftoi se do të apelojë, duke insistuar se procesi i kthimit të emigrantëve do të vazhdojë, raporton Euronews, trasnmeton Sinjali.
Marrëveshja mes Britanisë dhe Francës, e nisur në gusht të vitit të kaluar, lejon kthimin e emigrantëve që kalojnë Kanalin me varka të vogla, ndërsa në këmbim Londra pranon një numër të barabartë emigrantësh nga Franca përmes një rruge të rregullt.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme britanike, deri në fillim të marsit 377 persona ishin kthyer në Francë, ndërsa 380 emigrantë kishin mbërritur në Britani në kuadër të kësaj skeme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!