image Profili i punëtorit të 'Barbon' në Prizren i dënuar mbi 10 herë për 8 vjet nga Gjykata, Sinjali sjellë dosjen

Drejtësi

Profili i punëtorit të ‘Barbon’ në Prizren i dënuar mbi 10 herë për 8 vjet nga Gjykata, Sinjali sjellë dosjen

news image

Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, sidomos nga përleshjet në lokale e hapësira te frekuentuara me të madhe nga qytetarët. Shpeshherë personat të cilët përfshihen në incidente te tilla janë pikërisht ata që janë të thirrur për të ofruar siguri e për të respektuar klientët, siç ka ndodhur me Ilirjan Bytyqin, punëtorin e sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren, i cili u arrestua javën e kaluar pasi u përfshi në një përleshje. Por, falë dorës së butë të Prokurorisë, Bytyqi ka shpëtuar nga masa e paraburgimit dhe është lënë i lirë.

Bytyqi nuk është emër  i panjohur për organet e rendit, pasi dosja e tij është e pasur me vepra dhe raste të ndryshme në të cilat është përfshirë.

Gazeta Sinjali ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren informacione për të gjitha aktgjykimet e plotfuqishme që janë shpallur ndaj Bytyqit për veprat që ka kryer për 8 vjet dhe dënimet ndaj tij.

Sipas evidencës në Gjykatë del se Bytyqi më së shpeshti ka kryer veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” e “Lëndim i rëndë trupor”, për të cilat është dënuar me burgim e me gjoba. Ai është dënuar edhe për “Kanosje” e “Rrezikimi i Trafikut Publik”.

profili

Rasti i fundit për të cilin është dënuar ka qenë në shkurt të vitit të kaluar, teksa rasti i parë që nga viti 2013. Bytyqi i njohur edhe si problematik del se goxha shpesh është përfshirë në përleshje e rrahje në periudha të ndryshme, çka i ka kushtuar me dënim.

profili 2

Përveç veprave penale, Ilirjan Bytyqi dyshohet se ka kryer edhe rreth 100 vepra kundërvajtëse, shumica prej të cilave në komunikacion, thonë tutje burimet e Sinjali.

Por çfarë dihet për rastin e fundit, për të cilin ai tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor?

image 392
image 392

Bytyqi, duke qenë në pozitën e punëtorit të sigurimit në lokalin “Barbon” në Prizren të shtunën mbrëma dyshohet se ka sulmuar brutalisht dy vajza, kliente të kësaj kafeterie.

Gjithçka dyshohet se ndodhi rreth orës 22:00, në lokalin Barbon, ku dy vajzat, njëra prej të cilave është përfshirë në përleshje, kanë pasur një mosmarrëveshje me punëtorin e dyshuar, konflikt ky që eskaloi në sulm fizik dhe për pasojë njëra prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Siç mëson Sinjali nga të njëjtat burime, njëra nga vajzat e dyshuara e ka goditur me gotë Bytyqin, me të cilin paraprakisht u kapën. Aty situata vetëm sa eskaloi dhe Bytyqi pa një pa dy iu kthye me sulm, duke i goditur aq keq klientet, deri në atë pikë sa njërën prej tyre e ka tërhequr zvarrë nëpër lokal.

Si pasojë e goditjeve dhe rrahjes brutale, viktima ka pësuar frakturë në hundë, për çka është dërguar me urgjencë në Spitalin e Prizrenit për të marrë trajtim mjekësor. Në anën tjetër, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë prangosur Bytyqin, që ka qenë në gjendje te dehur dhe i cili është shoqëruar në stacion policor.

Pas mbledhjes së informacioneve të para në lidhje me rastin, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit në kohëzgjatje prej 48 orësh, nën dyshimin e bazuar se ka kryer veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”. Ndaj tij, pritet të parashtrohet edhe kallëzim penal brenda afatit ligjor, teksa edhe Prokuroria do të ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/