image Problemi i madh 'teknik' i Kadri Veselit me Sami Lushtakun

Kosovë

Zgjedhjet/ Problemi i madh ‘teknik’ i Kadri Veselit me Sami Lushtakun

news image

Vendimi i kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit, për përjashtimin nga lista e kandidatëve për deputetë që kanë probleme me ligjin, ka krijuar një problem jo të vogël në partinë e tij.

Sami Lushtaku, që udhëheq me degën e PDK-së në Skenderaj, e ‘detyroi’ kryetarin e partisë, Kadri Veselin, që mbrëmë ta thërrasë një mbledhje urgjente, shkruan Sinjali.

Lushtaku po kërkon që në listën finale të kandidatëve për deputetë t’i ketë tetë përfaqësues, bën të ditur një burim i Sinjalit brenda PDK-së.

Kërkesa të njejta si të Lushtakut, burimet thonë se kanë edhe disa figura të tjera kyçe në PDK, të cilët për shkak të problemeve me ligjin nuk kanë mundësi të jenë pjesë e listës për deputetë.

Kryesia e PDK-së është mbledhur mbrëmë nga ora 20:00. Në mbledhjen që zgjati për disa orë rresht, u diskutua për pakënaqësitë dhe përçarjet rreth listës finale të kandidatëve për deputetë, mëson Sinjali nga burime të sigurta brenda këtij subjekti politik.

Pse po shkaktohet kjo vonesë nuk kanë dashur të tregojnë për media zyrtarët e kësaj partie. Sinjali ka tentuar të marrë një përgjigje zyrtare nga nënkryetarët Enver Hoxhaj dhe Uran Ismaili por edhe nga shumica e anëtarëve të kryesisë së kësaj partie, po ata nuk kanë kthyer përgjigje.

I vetmi që i është përgjigjur telefonatës ka qenë sot ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa. Ai, në një prononcim për Sinjalin ka thënë se lista e kandidatëve për deputetë nga kjo parti është e përfunduar, duke përmendur ‘diçka teknike’, që sipas tij mund të jetë shkak për mospublikimin e listës.

“Veç nëse ka diçka teknike, sepse lista është e përfunduar dhe Partia Demokratike sipas kohës që e ka caktuar KQZ-ja i ka bërë veprimet e veta. Për atë mbledhje unë kam qenë në teren, nuk jam i informuar. Kam qenë i zënë”, ka thënë Beqa.

Muaj më parë, Sami Lushtaku e kishte kundërshtuar ashpër iniciativën e Kadri Veselit për t’i larguar nga partia njerëzit që kanë probleme me ligjin.

“S’ka bir nane që mundet me më largu nga Partia Demokratike e Kosovës, veç nëse du me u largu vet”, kishte thënë Lushtaku. /Sinjali