image Hajdari i reagon PDK-së: Nuk i pengon Projektligjin për Investime të Qëndrueshme, por puna e Qeverisë

Politikë

Hajdari i reagon PDK-së: Nuk i pengon Projektligjin për Investime të Qëndrueshme, por puna e Qeverisë

news image

Gjatë ditës së djeshme, Partia Demokratike e Kosovës dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Investime të Qëndrueshme.

Pas kësaj ka reaguar ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Ajo është “çuditur”, pasi sipas saj, kjo u bë lajm një ditë pas publikimit të Raportit të Progresit.

“Për çudi, ky informacion u bë lajm një ditë pas publikimit të Raportit të Progresit, e i cili për koicidencë ndër të tjera përmend si progres pikërisht këtë ligj. Se çka e pengon opozitën Ligji për Investimet e Qëndrueshme, i miratuar në Kuvend më datë 19 tetor, do të duhej të na e thonin ata, por kuptohet qartë se ata nuk i pengon ligji në fjalë por puna dhe vendimet e mira të kësaj Qeverie, prandaj as s’kanë çfarë të thonë, por vetëm të na vonojnë investimet e qëndrueshme në pritje për të sjellur zhvillim ekonomik dhe punësim të denjë për qytetarët tanë.”, ka shkruar Hajdari.

Tutje, sipas Hajdarit, opozita po e përbuz këtë ligj, “pa e menduar dëmin që iu shkaktojnë qytetarëve”.

Postimi i plotë:

Opozita paska dërguar në Gjykatë Kushtetuese Ligjin për Investime të Qëndrueshme, duke tentuar t’a bllokojë, e të cilin Raporti i Progresit i Komisionit Evropian e vlerësoi si progres për vendin tonë.

Për çudi, ky informacion u bë lajm një ditë pas publikimit të Raportit të Progresit, e i cili për koincidencë, ndër të tjera përmend si progres pikërisht këtë ligj.

Se çka e pengon opozitën Ligji për Investimet e Qëndrueshme, i miratuar në Kuvend më datë 19 tetor, do të duhej të na e thonin ata. Por, kuptohet qartë se ata nuk i pengon ligji në fjalë por puna dhe vendimet e mira të kësaj Qeverie, prandaj as s’kanë çfarë të thonë, por vetëm të na vonojnë investimet e qëndrueshme në pritje për të sjellur zhvillim ekonomik dhe punësim të denjë për qytetarët tanë.

Është për t’u habitur se si disa opozitarë, ngrisin zërin kinse për të mirën qytetare, por kur një ligj për të mirën qytetare sillet në tavolinë, ata e përbuzin pa e menduar pikërisht dëmin që iu shkaktojnë qytetarëve dhe Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës, përmes këtij ligji, nxit dhe mbron investimet e përgjegjshme dhe të qëndrueshme, në përputhje me këto instrumente:

1.1. Parimet e investimit të përgjegjshëm, të mbështetura nga Kombet e Bashkuara; Rezolutën 71/313 të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara;

1.2.Deklarata dhe vendimet për investimet ndërkombëtare dhe ndërmarrjet shumëkombëshe të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Poashtu, ky ligj është në përputhje edhe me Rregulloren (BE) 2019/452 të Parlamentit Evropian dhe të Këshillit Evropian, e 19 marsit 2019, për themelimin e kornizës për verifikimin e investimeve të huaja direkte në Bashkimin Evropian.

Ky ligj ka për qëllim të rregullojë promovimin, përkrahjen dhe mbrojtjen e investimeve vendore, të huaja dhe nga diaspora, në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare.

Ligji për Investime të Qëndrueshme parasheh mbrojtjen dhe sigurinë ndaj investitorëve, shqyrtimin e kujdesshëm të investimeve në sektorët prioritarë, kolegjin e Apelit, kujdesin pasues ndaj investitorëve dhe përzgjedhjen e veçantë të investitorëve.

Poashtu ky ligj parasheh rritje të kapaciteteve institucionale të shumëfishta që do të trajtonin aspektin e mbështetjes së bizneseve në përgjithësi dhe promovimin e investimeve në veçanti.

Kujtojmë këtu që mungesa e kapaciteteve administrative të këtij dikasteri potencohet vazhdimisht në raportet ndërkombëtare, përfshirë Raportin e Progresit.

Me Ligjin për Investime të Qëndrueshme, investitori i huaj ka të njëjtat të drejta dhe detyrime ligjore sikurse investitorët vendorë duke iu nënshtruar legjislacionit vendor dhe marrëveshjeve ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Kosovës.

Tendenca për ta bllokuar zbatimin e këtij ligji përveçse do të ketë ndikim negativ të drejtëpërdrejtë tek bizneset dhe tërheqja e investitorëve të huaj, poashtu do të pamundësojë zbatimin e reformave në përputhje me kërkesat e BE-së.

/GazetaSinjali/