image Vjen një arsye interesante nga PDK-ja për mospublikimin e listës

Kosovë

Zgjedhjet/ Vjen një arsye interesante nga PDK-ja për mospublikimin e listës

news image

Ish-deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, nuk e di se mbrëmë është mbledhur kryesia e partisë pas pakënaqësive brenda këtij subjekti për listën e kandidatëve për deputetë.

Në një prononcim për Sinjalin, Beqa ka thënë se lista e kandidatëve për deputetë nga kjo parti është e përfunduar. Ai ka përmendur një arsye tjetër që sipas tij mund të jetë shkak për mospublikimin e listës.

“Veç nëse ka diçka teknike, sepse lista është e përfunduar dhe Partia Demokratike sipas kohës që e ka caktuar KQZ-ja i ka bërë veprimet e veta. Për atë mbledhje unë kam qenë në teren, nuk jam i informuar. Kam qenë i zënë”, ka thënë Beqa.

Në listën ‘e gatshme’ të PDK-së, do të jetë përsëri edhe ish-deputeti Hajdar Beqa.

“Unë do të jem në listën e kandidatëve për deputetë. Gjithashtu besoj se do të jem edhe deputet, pasi që bazohem në përgjegjësinë që e kam pasur ndaj votuesve dhe përkushtimin që e kam pasë në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Beqa.

Përderisa sonte në orën 19:00 PDK-ja pritet ta nominojë Kadri Veselin si kandidat për kryeministër, këtij të fundit mbrëmë i është dashur ta mbledhë partinë, pasi lista e kandidatëve për deputetë, e miratuar nga ai, ka hasur në pakënaqësi brenda subjektit.

Një prej figurave më të rëndësishme të Partisë Demokratike të Kosovës, Sami Lushtaku, po kërkon që në listën finale të kandidatëve për deputetë t’i ketë tetë përfaqësues, bën të ditur një burim i Sinjalit brenda PDK-së.

Sami Lushtaku, që udhëheq me degën e PDK-së në Skënderaj e kishte kundërshtuar ashpër iniciativën e Kadri Veselit për t’i larguar nga partia njerëzit që kanë probleme me ligjin.

“S’ka bir nane që mundet me më largu nga Partia Demokratike e Kosovës, veç nëse du me u largu vet”, kishte thënë Lushtaku. /Sinjali/