image Prizren/ Rrahu nënën e tij dhe kërcënoi me thikë policët që shkuan ta arrestonin

Siguri

Prizren/ Rrahu nënën e tij dhe kërcënoi me thikë policët që shkuan ta arrestonin

news image

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për “Dhunë në familje” dhe “Mosbindje ndaj urdhrave të personit zyrtar“, sot në Prizren, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali merr vesh se i dyshuari, i cili me urdhër të Gjykatës Themelore në Gjakovë, ndodhej në arrest shtëpiak, pasditen e sotme, ka ushtruar dhunë fizike ndaj nënës së tij, në shtëpinë e tyre në rrugën “Xhavit Bajraktari”, në Prizren.

Kur patrulla policore ka shkuar në vendin e ngjarjes, ai dyshohet se është fshehur pas derës së shtëpisë, e ka mbyllur derën dhe me një thikë kuzhine ka refuzuar t’u bindet urdhrave të zyrtarëve policorë, për të shkuar në stacion policor.

Ai po ashtu dyshohet se i ka kërcënuar policët se do t’i sulmojë me thikë, nëse tentojnë të futen brenda dhe se do ta lëndojë veten me thikë.

Burimet brenda Prokurorisë Themelore në Prizren kanë bërë të ditur se i dyshuari është recidivist i veprave penale, si përdorues i narkotikëve.

Lajmin për Gazetën Sinjali e kanë konfirmuar edhe nga Drejtoria rajonale e Policisë në Prizren, nga e cila thanë se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësia për Reagim të Shpejtë.

“I dyshuari është arrestuar. Nga hetuesi kujdestar është intervistuar viktima dhe i dyshuari në prezencë të avokatit mbrojtës. Me urdhër të prokurorit të shtetit, i dyshuar ndalohet për 48 orë”, thuhet në përgjigjen e tyre./Gazeta Sinjali/