image Prishtinasi e dërgoi mjetin shpërthyes me veturë te kazerma "Adem Jashari" - Policia jep detaje

Kosovë

Siguri/ Prishtinasi e dërgoi mjetin shpërthyes me veturë te kazerma “Adem Jashari” – Policia jep detaje

news image

Një person e ka dërguar me veturë një mjet shpërthyes në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, shkruan Gazeta Sinjali.

Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.

Hoxha tha se personi në fjalë mjetin e ka gjetur në oborrin e shtëpisë së tij, pastaj e ka futur në bagazhin e veturës dhe e ka dorëzuar te Forcat e Sigurisë së Kosovës.

“Është raportuar se një qytetar, derisa ishte duke punuar në kopshtin e tij në rrugën “Dëshmorët e Ponoshecit” në Prishtinë, dyshohet se ka hasur në një mjet të dyshimtë. I njëjti e ka marrë mjetin dhe me automjetin e tij (në bagazhin e automjetit) e ka dërguar me qëllim për ta dorëzuar te Forcat e Sigurisë së Kosovës. Janë Informuar të gjitha njësitet relevante dhe policia është në vendin e ngjarjes”, tha Hoxha.

Zëdhënësi i policisë tha se rasti është duke u trajtuar nga njësitë kompetente dhe se nuk ka arsye për shkaktim të ndonjë forme të panikut apo shqetësim te qytetarët.

Me këtë rast, Hoxha u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që në raste të tilla, kur hasin në mjete të dyshimta, të mos rrezikojnë jetën e tyre dhe të të tjerëve duke prekur apo transportuar mjete të tilla, por sapo të hasin mjete të dyshimta ta lajmërojnë menjëherë policinë./Gazeta Sinjali/