Numri i rasteve të dhunës në familje në Kosovë vazhdon të mbetet brengë për qytetarët e institucionet. Jo rrallë herë dëgjojmë raste të dhunës brenda familjes, me të lënduar, të arrestuar e me të vrarë.
Dy mijë e 471 raste të dhunës kanë ndodhur gjatë 11 muajve të vitit 2022, prej tyre 2 mijë e 55 viktima ishin femra dhe 462 meshkuj.
Derisa janë shënuar edhe 8 raste të vrasjes brenda familjes kanë, prej tyre viktima ishin 5 meshkuj e 3 femra.
Gazeta Sinjali, ka siguruar një raport nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, ku për gjashtë muajt e parë të vitit paraprak në gjykatat e Kosovës ishin dorëzuar 232 raste të dhunës në familje.
Sipas raportit shihet se në Gjykatën Themelore të Prishtinës ishin 78 raste. Pas saj renditet Gjykata Themelore e Pejës me 25 raste, ajo e Prizreni me 24 raste, Gjilanit me 20 raste.
Pastaj në Gjykatën Themelore të Gjakovës e Suharekës ishin nga 13 raste të dhunës në familje, në degën e Gjykatës së Klinë ishin 11 raste, në Istog 10 raste.
Derisa në Gjykatën Themelore të Mitrovicës ishin 8 raste të dhunës në familje, në atë të Ferizajt, Rahovecit, Vitisë e Lipjanit ishin nga 6 raste.
Sipas raportit të KGJK-së në Degën e Gjykatës në Vushtrri ishin 5 raste të dhunës në familje, ndërsa në Degën e Gjykatës së Podujevës, Dragashit e Deçanit ishin nga 4 raste të dhunës në familje. Ndërsa në Degën e Gjykatës së Skënderajt e Malishevës ishin nga 3 raste. Në Degën e Gjykatës së Graçanicës ishin 2 raste dhe nga 1 rast ishin në degët e gjykatave të Kamenicës, Novobërdës, Kaçanikut, Leposaviqit e Zubin Potokut.
Nga Policia tregojnë se në vitin 2022 ishin 7 raste të vrasjes prej tyre viktima ishin 4 meshkuj dhe 3 femra. Nga 1 janari deri me 30 nëntor janë evidentuar 2 mijë e 471 raste të dhunës në familje , prej tyre 2 mijë e 55 viktima femra dhe 462 meshkuj.
Policia e Kosovës thanë për Gazetën Sinjali se që nga themelimi i saj i ka trajtuar me seriozitetin e duhur rastet e dhunës në familje. Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetdijësuese për pasojat e dhunës në familje duke e potencuar në vazhdimësi se dhuna nuk ndalet pa u raportuar, pa u trajtuar nga organet kompetente.
“Rastet e dhunës në familje janë raste të ndjeshme, dhe qasja e policisë karshi rasteve të dhunës në familje është; si parandalimi për dhunën në njërën anë si dhe trajtimi i rasteve më seriozitet, ka bërë që raste e tilla të vijnë duke u raportuar më shpesh, ndër vite”, thonë Policia.
Më tej nga Policia e Kosovës tregojnë se rastet e dhunës në familje në secilin stacion policor trajtohen nga zyrtarë policorë që kanë kryer trajnime shtesë për raste të tilla, por rastet e tilla gjithashtu trajtohen në bashkëpunim të ngushtë me Qendrat për Punë Sociale, Mbrojtësit e Viktimave dhe natyrisht me organet e drejtësisë. Sidomos, raste kur janë të përfshirë fëmijët si viktimë prania e punëtorit të QPS-së është e domosdoshme.
Policia e Kosovës theksojnë se në vazhdimësi ka bashkëpunuar me institucionet relevante për të parandaluar dhe nëse ndodhin për t’i trajtuar rastet e dhunës në familje.