Auditori i Përgjithshëm, Besnik Osmani ka paraqitur sot në Kuvendin e Kosovës raportin vjetor të Auditimit 2019, i cili tha se konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se në fushën e raportimit financiar nuk janë identifikuar mangësi serioze të organizatave buxhetore, raporton Gazeta Sinjali.
Megjithatë, ai tha se në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe me rregulloret ka dobësi të theksuara dhe se në ndërmarrjet publike, raportimi financiar dhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor kanë mangësi serioze.
“Konkluzioni i përgjithshëm i auditimit është se në fushën e raportimit financiar nuk janë identifikuar mangësi serioze të organizatave buxhetore, por në fushën e pajtueshmërisë me ligjet dhe me rregulloret ka dobësi të theksuara. Sa i përket ndërmarrjeve publike, raportimi financiar dhe pajtueshmëria me kuadrin ligjor kanë mangësi serioze. Raporti është rezultat i auditimit të pasqyrave të Qeverisë dhe i 131 raporteve individuale nga të cilat 95 organizata buxhetore, 14 ndërmarrje publike, 9 projekte të donatorëve, 13 auditime të performancës. Në raportet e auditimit ne kemi dhënë 69 opinione të pamodifikuara me theksim të çështjes dhe 13 opinione të modifikuara. Sa i përket pasqyrave të buxhetit të shtetit kemi dhënë opinion të pamodifikuar me theksim të çështjes dhe kjo ka ndodhur për dy arsye: e para, të hyrat ishin mbivlerësuar për 23 milionë euro. Shkak i këtij gabimi ka qenë se e njëjta shumë e të hyrave është mbledhur gjatë vitit 2018, por është paraparë edhe në planin buxhetor 2019. Shpenzimet prej 15 milionë eurove ishin klasifikuar në kategori jo adekuate me ligjin e buxhetit. Përkundër që kemi një përmirësim prej 7 milionë eurove nga viti paraprak, nuk ka qenë i mjaftueshëm”, tha ai.
Në auditimet për 2019, ai tha se kanë dhënë 1 mijë 68 rekomandime, ndërkaq nga 1 mijë 174 rekomandime të dhëna në vitin paraprak përqindja e zbatimit të tyre ishte 41% që paraqet përmirësim të lehtë krahasuar me vitin paraprak.
Kurse, deputeti i LVV-së, Enver Haliti ka pasur kritika sa i përket gjetjeve të raportit vjetor të auditimit, i cili tha se raporti konstaton një numër të lartë të gabimeve në raportin financiar vjetor të buxhetit të konsoliduar.
“Sipas konstatimit të auditorit, kjo është një e gjetur në vlerë mjaft të lartë të gabimeve në raportin financiar vjetor të buxhetit të konsoliduar, derisa opinioni është i pamodifikuar. Për më tepër, sipas raportit vjetor të auditimit kjo çështje e komplikon më tepër gjendjen për faktin se paraqitja jo e drejtë e të hyrave të bartura nga viti 2018 ka ndikuar edhe në kriteret e tjera të përcaktuara me ligjin për menaxhimin e financave publike dhe buxhetin për 2019. S’i keni vlerësuar apo gjykuar këto çështje mjaft të ndjeshme me rastin e nxjerrjes së opinionit për raportin 2019”, tha ai.
Po ashtu, deputetja e LDK-së, Vlora Limani-Hajnuni tha se vërejtjet e dhëna në raportin e Auditimit për 2019 janë shqetësuese.
“Opinioni i këtij raporti është i pamodifikuar, që do të thotë se pasqyrat financiare janë paraqitur drejt dhe saktë. Kjo nënkupton që gjithçka është në rregull me menaxhimin e një organizate buxhetore dhe menaxhimin financiar. Në fakt, ky raport flet për shumë shkelje dhe vërejtje duke nisur nga planifikimi i buxhetit, menaxhimi i tij e deri tek ekzekutimi, gjegjësisht shpenzimi i buxhetit nga Qeveria e Kosovës. Vërejtjet janë shqetësuese për vitin fiskal 2019, në veçanti ato që kanë të bëjnë me mos respektim të procedurave të prokurimit”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti i PDK-së, Sejdi Hoxha, tha se në raport ka të gjetura që duhet të merren seriozisht nga institucionet e Kosovës. Ai tha se si PDK do ta mbështesin këtë raport.
Në këtë raport janë disa të gjetura, të cilat duhet të merren seriozisht nga institucionet e Republikës së Kosovës, e veçanërisht duhet të punohet shumë më shumë nga institucionet që këto rekomandime të implementohen viteve në vijim. Në raport vërehet një progres i mirë i rritjes së numrit të rekomandimeve krahasuar me vitet e kaluara, por ky trend i rritjes së implementimit të rekomandimeve duhet të jetë më i madh në mënyrë që të rritet niveli i përgjegjësisë së menaxhimit të financave”, tha ai.
Edhe deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj u shpreh se do ta përkrahin raportin e Auditorit për 2019.
“I përkrah të gjitha rekomandimet e dhëna nga Auditori i përgjithshëm, si dhe rekomandimin e dhënë nga Komisioni për mbikëqyrje të financave publike. Kolegët paraprakë përmendën të gjitha rekomandimet që janë të cekura edhe në raport, andej ne e përkrahim dhe e votojmë këtë raport”, tha ajo.
Raporti vjetor i Auditimit ka marrë mbështetje nga grupi parlamentar Nisma-AKR. Shefi i grupit parlamentar, Endrit Shala tha se si Kuvend duhet të përkujdesen që Qeveria të fillojë t’i zbatojë të gjitha rekomandimet.
“Ne si Kuvend i Kosovës duhet të përkujdesemi që Qeveria të fillojë t’i zbatojë të gjitha rekomandimet të cilat kanë dalë nga raporti i Auditorit i vitit 2019”, përfundoi ai.