image Ministri Krasniqi shpërblen me kontratë kompaninë e baxhanakut të Endrit Shalës, i dhuron monopolin e verifikimit të naftës - Sinjali

COVID-19

Të infektuar

68.351

Të shëruar

59.438

Të vdekur

1.592

Ministri Krasniqi shpërblen me kontratë kompaninë e baxhanakut të Endrit Shalës, i dhuron monopolin e verifikimit të naftës

news image

Në Kosovë po vazhdojnë të krijohen monopole të reja duke favorizuar kështu kompani të caktuara publike dhe private. Fuqinë në treg po vazhdojnë ta bartin ato kompani që janë të lidhura me pushtetin, por edhe me partitë politike, shkruan Gazeta Sinjali.

Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi përmes Udhëzimit Administrativ për Kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës e ka paraparë krijimin e një monopoli të ri.

Ky udhëzim parasheh që MTI-ja të kontraktojë një operator të vetëm për shënjimin (markimin) e karburanteve për një periudhë prej 5 viteve, me mundësi vazhdimi edhe për 5 vite të tjera, pasi siç duket puna e Doganës së Kosovës nuk po ia mbush syrin sa duhet ministrit të Nismës.

Gazeta Sinjali mëson se kontrollin dhe cilësinë e karburanteve të lëngëta të naftës tash e tutje do ta bëjë kompania e baxhanakut të ish-ministrit të MTI-së po ashtu nga Nisma, Endrit Shalës, N.SH. ” EURO – INSPEKT.

Kjo kompani nën udhëheqjen e Valdet Teneqes, baxhanak i Endrit Shalës, ia “mori punën” Doganës së Kosovës, e cila kishte investuar mbi 600 mijë euro në laboratorin e naftës.

N.SH. ” EURO – INSPEKT edhe në ARBK është e regjistruar në emrin e Valdet Teneqes, i cili edhe më parë kishte përfituar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, duke u fuqizuar kështu përmes lidhjes me pushtetin qendror.

Teneqja kishte përfituar edhe në vitin 2019, kur ish-ministri i MTI-së, Endrit Shala ia mundësoi që kompania e tij të bëjë kalibrimin e pompave të benzinës.

Kompania N.SH. ” EURO – INSPEKT do të bëjë verifikimin e dokumenteve të konformitetit të lëshuar jashtë territorit të Republikës së Kosovës në pajtim me ligjin përkatës.

“Gjatë procesit të miratimit të hyrjes së karburanteve të naftës, Trupa për Vlerësim të Konformitetit verifikon dokumentet e konformitetit, përfshirë, deklaratën e konformitetit apo deklaratën e cilësisë, e cila duhet të ketë të bashkangjitur raportin e testimit, në pajtim me parametrat e parapara me udhëzimin bazë. Dogana e Kosovës lejon hyrjen e karburanteve të naftës në territorin e Kosovës, vetëm nëse certifikata / raporti i lëshuar nga një TVK e emëruar nga MTI, e cila është konform me udhëzimin bazë”, thuhet në Udhëzimin e ri Administrativ.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar ministrin Vesel Krasniqi për ta pyetur lidhur me këtë çështje, por ai ka refuzuar ta komentojë.

“Jam në fushatë zgjedhore, nuk mundem me u përgjigj”, tha shkurt Krasniqi për Sinjalin.

Por si të padrejtë këtë udhëzim e ka konsideruar kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve të Kosovës, Fadil Berjani, në një përgjigje për Gazetën Sinjali, ku tha se pret që ky vendim të anulohet.

 “Ky udhëzim pritet të anulohet sepse në të gjitha dispozitat ligjore është në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Ky Udhëzim duhet të jetë nën juridiksionin e Doganës, që kontrollin e cilësisë ta kryejë Dogana e Kosovës, e jo siç ka bërë MTI. Flitet për shuma milionëshe, por mendoj që ky Udhëzim gjatë kësaj jave anulohet. Ky udhëzim është në kundërshtim me ligjet në fuqi. Një kompani është autorizuar jashtë çdo rregullave. Këtë punë duhet ta kryej Dogana e Kosovës dhe jo kompanitë private. Apeloj te importuesit që të presin dhe të mos bëjnë panik për këtë çështje”, tha Berjani për Sinjalin.

Edhe nga Oda Ekonomike e Kosovës, e kanë vlerësuar si absurde që një kompani private të verifikojë karburantet e lëngëta të naftës. Kryetari i OEK-ut, Berat Rukiqi tha për Gazetën Sinjali se kjo e drejtë i takon vetëm Doganës së Kosovës.

“Ne edhe më herët kemi pasur komunikime me Qeverinë rreth kësaj çështje. Është absurde përderisa ekziston një institucion që ka të gjitha kapacitetet dhe ka një laborator të profesionalizuar, që kjo e drejtë t’i largohet atij institucioni”, tha Rukiqi për Sinjalin.

Gazeta Sinjali ka provuar të kontaktojë edhe Valdet Teneqen, por që i njëjti nuk i është pëgjigjur telefonatave të Sinjalit.

Me udhëzimin e vitit 2017 këtë të drejtë e kishte ekskluzivisht Dogana e Kosovës, ku parashihej “verifikimi i cilësisë së karburanteve të lëngëta të naftës në territorin Doganor”.

Gjatë vitit 2019 janë importuar 618 milionë litra naftë, kurse në vitin 2020 janë importuar 602 milionë litra naftë në Kosovë.

/GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin