image "Prej një fëmije 17-vjeçar çka po pret...", dëshmia e vëllait të të miturit që u vra në Prishtinë

Drejtësi

“Prej një fëmije 17-vjeçar çka po pret…”, dëshmia e vëllait të të miturit që u vra në Prishtinë

news image

Në seancën e sotme për rastin e vrasjes së rëndë më 12 mars të vitit 2020, ku u vra 17-vjeçari Lekë Bulliqi nga Prishtina, dëshmitari L.B ka thënë se pa ndonjë arsye i akuzuari E.I ia kishte vrarë vëllain e tij të mitur, shkruan Gazeta Sinjali.

Nuk ka pasur arsye me ardh deri këtu, prej një fëmije 17 vjeçar çka po pret me t’bo dom”, ka thënë vëllau i viktimës L.B.

E.I. akuzohet se më 12 mars 2020 e ka privuar nga jeta të miturin, tani të ndjerin Lekë Bulliqin dhe me atë rast me dashje ka vënë në rrezik jetën e të dëmtuarve R.G. dhe B.S.

Ndërkaq, P.I po akuzohet se e kishte ndihmuar të akuzuarin për të fshehur armën me të cilën ky i fundit e kishte privuar nga jeta 17-vjeçarin. Kurse, L.B po akuzohet se pasi dy të akuzuarit kishin kryer veprën penale, i njëjti i kishte strehuar në shtëpinë e tij.

I akuzuari E.M në seancën e 20 majit 2021, e kishte pranuar fajësinë që e kishte ndihmuar të akuzuarin E.I. që të kryejë vrasjen.

I njëjti, ka thënë se ditën kritike kishte qenë në punë kur e kishte pranuar një telefonatë nga vëllai i tij J., se tashmë i ndjeri Lekë Bulliqi ishte plagosur.

Me të kuptuar këtë informacion, dëshmitari ka thënë se ishte nisur në vendin e ngjarjes tek parku në lagjen “Dragodan” dhe kur kishte mbërritur aty tha se kishte parë forca policore.

Kur kam mbërri veni ka qenë i rrethuar me polic, e kam pa B., nuk më ka lënë policia me u afru edhe pse L., prej një distance prej 3-4 metra e kam pa, një person ka qenë duke i ofruar ndihmë mjekësore. Pas një minuti ka ardhur ambulanca, kam shkuar mbrapa ambulantes me kerr deri në spital”, ka thënë dëshmitari, raporton betimipërdrejtësi.

Ai ka thënë se nuk kishte parë ndonjë armë në vendin e ngjarjes dhe se në ato momente nuk e kishte ditur se kush ia kishte plagosur vëllain.

Por sipas dëshmitarit, pasi kishin mbërritur në spital, pas 1-2 orësh kishte kuptuar se i akuzuari E.I kishte qëlluar në drejtim të vëllait të tij.

I pyetur se cili ka qenë motivi që i akuzuari E.I. e kishte qëlluar për vdekje vëllain e tij, dëshmitari ka thënë se shkak mund të ishte xhelozia.

Nuk e di pse ka ndodhur rasti, rasti nuk ka pasur ndonjë arsye të madhe me ndodhë unë mendoj se është vetëm për shkak të xhelozisë se L., ka qenë tip shoqëror me krejt dhe kanë pas arsye me xhelozu, për kurrgjë tjetër”, ka thënë dëshmitari.

Dëshmitari deklaroi se pas këtij rasti e kishte kuptuar se vëllai i tij i ndjerë Lekë Bulliqi, kishte pasur një konflikt me të akuzuarin E.I.

Më vonë e kam marrë vesh se kanë pasur një konflikt, për shkak se kur L., ka qenë me shokun e tij A., i akuzuari me katër shokë të tjerë i kanë dalë me kerr, ku kanë pasur dy armë me vete. Por, shoku i L., e ka evitu konfliktin duke e larguar L., prej aty, e ka qetësu situatën dhe nuk kanë pasur ndonjë konflikt më të madh përpos kërcënimit të armës”, ka thënë dëshmitari.

Ai e ka përmendur edhe një rast tjetër ku i akuzuari E.I. me një shok të tij e kishin ndaluar Lekë Bulliqin dhe e kishin sharë, ku sipas dëshmitarit mes tyre ka pasur edhe konflikt fizik.

Ai tha se nuk e di arsyen e konflikteve mes vëllait të tij dhe të akuzuarit por se shtoi se ka qenë shumë i afërt me vëllain e tij dhe me të kishin biseduar gjithçka.

Pasi dëshmitari ka deklaruar se vëllai i tij i ndjerë asnjëherë nuk kishte mbajtur armë, avokati i të akuzuarit ia prezantoi atij një fotografi të Lekë Bullliqit, me dy armë në dorë.

 “Pas konflikteve me të akuzuarin e kam thënë se nashta ka qenë i kërcënuar dhe nashta ka mujt me pas armë”, ka thënë dëshmitari.

Ai në fund ka thënë se shoku i vëllait të tij të ndjerë, dëshmitari R.G ishte kërcënuar nga një person me emrin L.U, i cili i kishte thënë që të mos deklarojë për këtë rast, për shkak se duan ta shpëtojnë të akuzuarin E.I.

Por sipas dëshmitarit, ky rast nuk ishte paraqitur në polici, pasi prindi i dëshmitarit R.G nuk e kishte lejuar.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 17 dhjetor 2021, në ora 13:10. /GazetaSinjali/