Janë bërë shtatë ditë kur serbët e veriut të Kosovës kanë vendosur barrikada, duke bllokuar lëvizjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në pikat kufitare Jarinje e Bërnjak.
E lëvizja jo vetëm e qytetarëve, por edhe e mallrave, policëve, doganierëve, pjesëtarëve të EULEX-it e KFOR-it është vështirësuar si pasojë e barrikadave.
Sikur Policia e Kosovës , po ashtu edhe ajo e EULEX-it nuk kanë helikopterë për të monitoruar situatën, bartur pjesëtarët e saj nga stacionet e pikat kufitare në veri e çështje tjera.
Derisa Ushtria Amerikane nga Kampi Bondsteel në Ferizaj, nëpërmjet një ushtrimi ka dërguar me helikopterë ujë për ushtarët e saj në kampin amerikan Nothing Hill afër Leposaviqit.
Nga EULEX-i tregojnë për Gazetën Sinjali se për shkak të mbylljes së qarkullimit në pikë-kalimet e përbashkëta në Jarinje dhe Bërnjak, EULEX-i e ka adaptuar praninë e tij dhe patrullat e tyre nuk janë të pranishme atje në baza të përhershme.
Sipas Zyrë për Shtyp dhe Informim Publik të EULEX-it, prej datës 15 dhjetor, patrullat vëzhguese të EULEX-it kanë mundur që të arrijnë tek të dy pikë-kalimet e përbashkëta, si dhe misioni i ka vazhduar patrullimet vëzhguese të tij në pjesën veriore të Kosovës, duke i përfshirë patrullimet në këmbë në Mitrovicën Veriore dhe në Zveçan.
“Duke e pasur parasysh situatën e paqëndrueshme të sigurisë në pjesën veriore të Kosovës si dhe ngritjen e më shumë barrikadave, Misioni e përshtatë rregullisht praninë e tij për ta pasqyruar situatën në terren”, thonë nga EULEX-i për Sinjalin.
Më tej nga EULEX-i theksojnë se nëse kushtet lejojnë shfrytëzim të sigurt të rrugëve alternative, patrullat tona përpiqen që të arrijnë deri te disa lokacione në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë stacionet policore. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe rrugore, kjo nuk është gjithmonë e mundur.
Derisa EULEX-i ka pranuar se nuk ka asnjë helikopterë për monitorimin e situatës në komunat veriore si dhe për bartjen e pjesëtarëve të EULEX-it, policëve e doganierëve nga pikat e kalimit kufitar Jarinje e Bërnjak.
Derisa nga Policia e Kosovës e Ministria e Punëve të Brendshme nuk janë deklaruar tash sa kohë për Gazetën Sinjali lidhur me pajisjen e Policisë me helikopterë.
Derisa KFOR-i nuk ka kthyer përgjigje për Sinjalin lidhur me krijimin e lirisë së lëvizjes e heqjen e barrikadave dhe bartjen e policëve e doganierëve nga veri dhe anasjelltas.
Njësia e KFOR-it e Komandës Rajonale-Lindje ka njoftuar se ka zhvilluar një trajnim të jashtëm me ngarkesë më 3 dhjetor, për të vërtetuar konceptet e mbajtjes, njofton .
Sipas njoftimit të Ushtrisë Amerikane në Kosovë, gjatë stërvitjes, ushtarët e regjimentit 1-131 të Aviacionit, Task Force Yellowhammer të Gardës Kombëtare të Ushtrisë Alabama, siguruan paleta me ujë në shishe në helikopterët UH-60 dhe i transportuan nga Kampi Bondsteel te ushtarët e KFOR-it në Kampin Nothing Hill afër Leposaviqit.