image Policia zvicerane përdor plumba gome në protestën anti-Iran

Evropë

Policia zvicerane përdor plumba gome në protestën anti-Iran

news image

Policia zvicerane ka përdorur plumba gome gjatë një proteste pranë Ambasadës së Iranit në Bern, teksa dy persona kaluan rrethojat e Ambasadës dhe hoqën flamurin Iranian që po valëvitej pranë misionit diplomatik të Teheranit.

Autoritetet nuk raportojnë për të lënduar në këtë protestë, e cila ishte një prej dhjetëra protestave të ngjashme që u mbajtën në mbarë botën, në solidaritet me protestat që po mbahen në Iran pas vdekjes së një gruaje 22-vjeçare, e cila vdiq teksa po mbahej nga policia.

Mahsa Amini vdiq më 16 Shtator pasi ishte arrestuar nga policia e moralit, nën dyshimet se nuk kishte respektuar rregullat e veshjes së hixhabit, apo shamisë së kokës.

Që nga vdekja e saj, në Iran janë organizuar protesta.

Në Bern, policia tha se ka përdorur plumba gome pasi disa protestues, gjatë demonstratës së paautorizuar, tentuan të hynin në oborrin e Ambasadës së Iranit.

Dy personat që arritën të hynin në oborrin e Ambasadës janë arrestuar, njoftoi policia.

Më 1 Tetor, protesta janë mbajtur në 159 qytete të mbarë botës, tha një organizatë iraniane për të drejtat e njeriut.

Irani ka fajësuar forcat e jashtme për nxitjen e protestave, që janë protestat më të mëdha në këtë shtet në vitet e fundit.

Aktivistët dhe familjarët e Aminit thonë se ajo u vra pas goditjeve në kokë, teksa gjendej në ndalim policor. Ata kanë hedhur poshtë pretendimet e autoriteteve se Amini vdiq si pasojë e një sulmi në zemër.

Lajmi për vdekjen e saj rriti zemërimin në Iran, shtet i cili përballet me pakënaqësi sociale dhe kushte të rënda të jetesës, për shkak të krizës ekonomike.

Situata ekonomike në Republikën Islamike është përkeqësuar që kur Shtetet e Bashkuara rivendosën sanksione ekonomike, pas tërheqjes nga marrëveshja bërthamore që Teherani nënshkroi më 2015 me fuqitë botërore. /GazetaSinjali/