image Policia rrethon Komunën e Istogut

Siguri

Policia rrethon Komunën e Istogut

news image

Aksioni i Krimeve Ekonomike dhe Prokurorit të Shtetit është zgjeruar edhe në Komunën e Istogut, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se policia ka rrethuar objektin e kësaj komune, ku pritet të ketë edhe arrestime në Drejtorinë e Urbanizmit dhe Inspektoratit.

Përveç Istogut, ky aksion është duke u zhvilluar edhe në Pejë dhe në Klinë.

Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë së Shtetit kanë bërë të ditur se ky aksion përfshin bastisje në hapësirat zyrtare, drejtoritë respektive, si dhe në disa shtëpi e banesa private të personave të dyshuar, për të cilët tashmë është urdhëruar arrestimi dhe ndalimi i tyre.

Prokurori kompetent tashmë ka vënë në dispozicion të policisë një listë të gjerë të provave dhe pajisjeve elektronike, që do të jenë subjekt i sekuestrimit me rastin e bastisjeve, prova këto që do të përdoren në procedurat e mëtutjeshme hetimore kundër të dyshuarve.

Këto burime konfirmojnë se fokusi i hetimit të realizuar deri më tani nga Prokurori i Shtetit ka të bëjë me çështje që lidhen me drejtorinë e urbanizimit dhe të inspektimit, me theks të veçantë ka në fokus papërshtatshmërinë ligjore të disa lejeve të ndërtimit, si dhe dështimin e inspektorëve për të penguar ndërtimet në shkelje të ligjit.

Mirëpo, ky nuk do të jetë fokusi i vetëm i këtij hetimi, për shkak se tashmë janë dhënë instruksione nga Prokurori i Shtetit edhe për vepra tjera penale dhe persona jashtë institucionit të komunës, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjali mëson se subjekt i hetimit janë edhe disa operatorë ekonomikë, që operojnë në fushën e ndërtimit, në veçanti nga viti 2018 e këndej./Gazeta Sinjali/