Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, sot ka realizuar një aksion policor në komunën e Zveçanit, në fshatin Kremestak, ku ka zbuluar një laborator ku kultivohet marihuana.
Me të arritur në lokacion policia ka konstatuar se shtëpia i kishte dyert e mbyllura dhe dritaret e mbuluara.
Gjatë realizimit të planit taktik policor dhe qasjes për kontroll brenda janë hasur katër persona të dyshuar të cilët kanë tentuar që të ikin dhe të fshihen nga Policia e Kosovës.
“Vlerësohet se sasia e sekuestruar e marihuanes dhe bimëve të kanabisit e kalon vlerën e shitjes në treg mbi një (1) milion euro, ndërsa pajisjet të cilat janë përdor për mbjelljen, rritjen dhe kultivimin e kanabisit e kalojnë vlerën e mbi 450 000 euro. Behet fjalë për një grup të strukturuar kriminal të cilët kanë vepruar në shitjen e narkotikeve në Republikën e Kosovës dhe në Serbi”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Sinjali mëson se nga ky aksion janë sekuestruar 15 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, mbi 800 bimë të dyshuara kanabis duke u tharë për t’u bërë e gatshme për treg dhe mbi 1500 bimë të reja të dyshuara kanabis.
Po ashtu janë sekuestruar edhe telefona mobil, 150 euro para të gatshme, 5 palë gërshërë, sistem i ventilimit, mbi 160 drita ndriçimi për kultivim, mbi 120 trafo për furnizim me energji dhe rreth 3 mijë saksi për kultivim.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, me urdhër të së cilit personat e dyshuar janë dërguar në ndalim për 48 orë.