Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpesh herë kërcënimet verbale eskalojnë, duke i penguar në kryerjen e detyrave, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, në qendër të Junikut, ku Policia është ballafaquar me një 58-vjeçar, i cili tentoi t’i sulmojë.
Sinjali mëson se gjithçka ndodhi pasi Policia ishte duke intervenuar në një rast, ku një qytetar i dehur ishte rrëzuar dhe kishte thyer xhamin e një lokali. Derisa zyrtarët policorë ishin në vendin e ngjarjes, i dyshuari ishte ndalur para tyre, duke i ofenduar e më pas papritmas del nga vetura dhe iu vërsulet policëve.
Burimet thonë se Policia disa herë i kishte kërkuar të dyshuarit të largohej, por i njëjti ka shpërfillur urdhrat, me ç’rast kanë hasur në rezistencë.
Për ta vënë nën kontroll, Policia është detyruar të përdor sprej ndaj të dyshuarit, i cili është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të Prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti për “pengim i personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.