Policia e Kosovës është deklaruar për arrestimin e zyrtarëve të PSD-së sot në ambientet e ZRrE-së.
Sipas policisë, zyrtarët e PSD-së janë arrestuar në rrugën “Bekim Fehmiu” në Prishtinë, saktësisht në objektin e ZRrE-së, nën dyshimet për pengim të personave zyrtar në kryerje të detyrës.
Në total numri i të arrestuarve është 13-të. Në mesin e të arrestuarve është kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj si dhe zyrtarët Frashër Krasniqi, Nol Nushi etj.
“Megjithëse policia vazhdimisht u ka bërë thirrje që të dalin nga objekti dhe të vazhdojnë aktivitetin e tyre, duke mos penguar zyrtarët e institucionit në fjalë, të njëjtit nuk janë bindur”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Më tej në njoftim thuhet se “Pas përfundimit të procedurave të nevojshme policore, konform rekomandimit të prokurorit të shtetit për cilësimin e veprës për të cilën dyshohen, personat e arrestuar do të procedohen më tej”.