Policia e Kosovës ka ushtruar kallëzim penal kundër kryetarit të Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqit, për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, transmeton Gazeta Sinjali.
Ky kallëzim penal i ushtruar ndaj tij rezulton pas një incidenti që kishte ndodhur më 9 shkurt 2021 në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Podujevë, ku sipas disa videove të publikuara, Bulliqi shihet të jetë kacafytur me një qytetar të quajtur Ramadan Zymeri.
Zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë për Sinjalin se policia ka kryer veprime hetimore në koordinimin me Prokurorin e Shtetit për këtë rast dhe më 24 shkurt 2021, ka përcjellë rastin në prokurori me kallëzim penal ndaj Bulliqit.
“Ju njoftojmë se Policia për këtë incident ka iniciuar rastin, Lëndim i lehtë Trupor dhe në koordinim me Prokurorin e shtetit, ka kryer veprimet hetimore. Rasti është proceduar në Prokurori me datën 24.02.2021 me kallëzim penal, për çdo informatë shtese ju lusim t’i drejtoheni Prokurorisë Themelore në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e saj për Sinjalin.
Më 9 shkurt 2021, qytetari Ramadan Zymeri e kishte denoncuar në Policinë e Kosovës, Shpejtim Bulliqin. Zymeri pretendonte se ishte sulmuar fizikisht dhe verbalisht nga Bulliqi në shtëpinë e shëndetit në Podujevë./Gazeta Sinjali/