Policia e Kosovës në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicën e Jugut në rrugën “28 Nëntori” në Skenderaj ka realizuar një bastisje në hapësirat e një lokali pasi që dyshohej për veprimtari të kundërligjshme, shkruan Gazeta Sinjali.
Në këtë lokal Policia ka bastisur 120 aparate të lidhura me pajisje elektrike dhe internet që dyshohet se përdoreshin për prodhimin e kriptovalutave.
Për pajisjet e gjetura dhe veprimtarinë e dyshuar hetuesit policor kanë identifikuar një person të dyshuar.
“Lidhur me veprimet e ndërmarra dhe pajisjet e gjetura është njoftuar prokurori i çështjes i cili ka sugjeruar që për veprime të mëtejme hetimore lidhur me rastin dhe pajisjet e gjetura të merren autoritetet doganore“, thuhet në njoftimin e Policisë.