image Policia në Kosovë në gjendje të mjerueshme, në Shqipëri shteti ia paguan qiranë - pritet edhe ulje e çmimeve në supermarkete

Shqipëri

Policia në Kosovë në gjendje të mjerueshme, në Shqipëri shteti ia paguan qiranë – pritet edhe ulje e çmimeve në supermarkete

news image

Për vitin e ri 2024 Shqipëria është duke negociuar një marrëveshje me supermarketet për pjesëtarët e Policisë së shtetit që të përfitojnë një ulje 10 deri në 15 për qind në gjërat ushqimore, raporton Gazeta Sinjali.

Ky negocim vjen pas një tjetër lehtësimi që Shqipëria ua bën atyre që shërbejnë çdo ditë në ruajtjen e rendit, ligjit e sigurisë e shëndetit në vend, punonjësve të policisë, mjekëve dhe ushtarakëve. Bëhet fjalë për pagesën e qirasë që shteti ua siguron përfituesve të kredive të garantuara nga qeveria.

Gjatë ditës së djeshme, kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Punëve të Brendshme, Taulant Balla shkuan në shtëpinë e re të inspektorit të Policisë, Vionis Shehu i cili është një nga përfituesit e kredive të garantuara nga qeveria dhe këtë vit do e presë në shtëpinë e re vitin 2024.

“Këtë shtëpi e kisha parë para se të më dilte kredia, por ishte pothuajse e pamundur me çmimet e tregut. Ëndrrën e kisha, po ishte thuajse e pamundur pa mbështetjen tuaj. Ajo ishte një shtysë shumë e madhe për mua”, u shpreh Shehu.

Teksa, Rama gjatë kësaj vizite bëri edhe një premtim. Ai tha se jo vetëm që do të vazhdojë procesi i kredive te garantuara, por do të bëhet edhe përmirësimi i procedurave të aplikimit për këtë përfitim.

Ministri Balla po ashtu dje ishte edhe në te banesa e inspektorit të Policisë, Redin Çaushajt, që u plagos me thikë në verë, në përpjekje për të shuar një sherr në Lukovë, edhe pse nuk ishte në shërbim.

“Në shtëpinë e re të inspektorit të Policisë së Shtetit, Redin Çaushaj, i cili përfitoi nga ky program i veçantë, jo vetëm për të uruar Vitin e Ri, por edhe për të promovuar këtë program që do të vijojë në vitet në vazhdim për të gjithë shërbëtorët e denjë të shtetit, në mbrojtje të atdheut, rendit dhe shëndetit publik”, shkroi Balla.

Pamje nga vizita: VIDEO

Për vite me radhë Policia e Kosovës kërkon trajtim dinjitoz nga shteti për punën që bëjnë, teksa mediat vazhdimisht kanë raportuar për kushtet e rënda në të cilat punojnë duke u nisur që nga mungesa e pajisjeve për punë, skadimi i jelekëve antiplumb, dështimi për t’i pajisur me jelekë të rinj, pagat e dhjetëra ankesa të tjera.

Çizmet e një polic që po bënte roje në veri të vendit, viti 2022

/GazetaSinjali/